Koci: Prokuroria nuk mund të bëjë ankesë ndaj vendimit të Supremes

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 14:13 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku nuk mund të akuzohet nga Gjykata Speciale për të njëjtën vepër penale për të cilën është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koci në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se mos akuzimi dhe mos dënimi për të njëjtën vepër penale është e përcaktuar me ligj.

“Nuk ka gjasa për dy herë për të njëjtën çështje prandaj zotëri Lushtaku për të njëjtat çështje nuk mund as të hetohet e as të gjykohet nga Gjykata Speciale, kjo është e përcaktuar me ligj. Dua ta potencoj se se në Gjykatën Supreme kanë qenë dy gjyqtarë ndërkombëtar dhe një vendor që kanë vendosur për lirimin e tij”, ka thënë avokati mbrojtës i Lushtakut.

Koci ka sqaruar se Gjykata Supreme ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime lufte ndaj Lushtakut. Sipas tij, me këtë vendim të gjykatës, është vërtetuar pafajësia e luftës së UÇK-së.

“Gjykata Supreme e ka aprovuar në tërësi ankesën time dhe ka liruar zotin Lushtaku për krime lufte. Me këtë aktgjykim është vërtetuar që Sami Lushtaku jo vetëm që nuk është kriminel lufte por është hero lufte edhe është koha e fundit që armiqtë e Kosovës ta pranojnë që Kosova është shtet I pavarur dhe nuk mund të bëhet ky shtet duke tentuar t’i njollosin çlirimtarët tanë”, ka thënë Koci.

Se a i lejohet prokurorisë që të bëjë ankesa, Koci ka thënë se Supremja është shkalla më e lartë dhe ankesat janë krejtësisht të pavlefshme.

“Kjo çështje është përfundimtare dhe prokuroria nuk ka të drejtë ankese në këtë fazë”, është shprehur ai.
Sa i përket çështjes se kur do vazhdoj Lushtaku me punën e tij si kryetar komunë në Skenderaj dhe se a do rikandidoj në zgjedhjet lokale të këtij tetori, Koci ka thënë se Skenderaj ka nevojë për njerëz si ai.

“…sot ka qenë në një vizitë të shkurtër në komunë, dhe pasi që të çmallet me familjen ai do të vazhdoj punën e vet. Skenderaj ka nevojë për një njëri si zotëri Lushtaku, është vërejtur mungesa e tij prandaj besoj që ai do vazhdoj punën sa më shpejt që është e mundshme. Për rikandidimin e tij për kryetar komune duhet ta pyetni atë, unë jam avokati i tij vetëm për çështje juridike, për këto “probleme” që i ka pasur përndryshe në çështje unë nuk ndërhy e nuk përzihem”, ka thënë ai.

Gjykata Supreme ka vendosur dje për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vite burgim nga Apeli.

Të ngjashme