Koci: Provat e ofruara nga Serbia duhet shikuar me shumë dyshim

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arianit Koci në emisionin Desku në KTV ka thënë se provat e ofruara nga Serbia duhet të shikohen me dyshim, dhe atyre duhet t’u përgjigjemi me argumente.

Ai ka vlerësuar si normale që presidenti Thaçi të intervistohet për tre ditë, pasi sipas tij, ka raste kur intervistimi zgjat edhe më shumë.

“Normale është të merret në pyetje për tre ditë, por kjo do të thotë se Thaçi ka vendosur që të mos mbrohet në heshtje. Çështjet teknikale mund të jenë një apo dy orë, e jo kaq kohë. Kam pas raste kur janë marrë në pyetje për 3 ditë e për kohë të gjatë. E mbrojtja në heshtje është e drejtë ligjore”, ka thënë Koci.

Sipas tij Thaçi është dashur të jetë më transparent.

“Thaçi u është dashur që të jetë më transparent për shkak të pozicionit, dhe ai nuk ka treguar as për çfarë është ftuar. Ligjërisht mund të jetë i ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe për ndonjë rast tjetër. Nëse lexon me vëmendje vet komunikatën e Prokurorisë, ajo indikon se mund të ketë edhe çështje tjetër që nuk lidhet me luftën por është kompetencë e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Koci.

Koci përmend edhe deklaratën e Vladimir Vukçeviqit, ish-kryeprokuror serb për krime lufte, që sot ka deklaruar se Serbia e ka furnizuar Prokurorinë me dokumente dhe dëshmi.

“Nëse kemi një strukturë kemi qenë në luftë dhe ka ushqyer Prokurorinë me dokumente në anën tjetër ne fare nuk kemi pasur informacion për hetimet e prokurorisë, ose nuk kemi pasur një zyrë që do të ushqente zyrën e Prokurorit të Specializuar atëherë hetimi mund të merrë një kahje jo të mirë, pastaj situata eskalon në atë masë se duhet sqarim në gjykatë”, ka thënë Koci.

Koci tutje ka shtuar se pos, deklaratës së Vukqeviqit, edhe Drecuni, që është i lidhur me shërbimin sekret serb, zyrtarisht e ka obligim që të mbledhë prova, kinse, për krimet e krerëve të UÇK-së.

“Prokuroria është e hapur ndaj të gjitha palëve me mbledh dokumente e dëshmi të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht u beson të gjithave. Në Gjykatë është pala e kundërt që paraqitet pastaj me kundër argumente. Është shumë esenciale me e kuptuar se dokumentet që po i prodhon Serbia në shikim të parë duken të vërteta, pra aty punohet në njëanca dhe janë ekspertë të cilët i krijojnë dhe i prodhojnë që mund të dëshmojnë fajësinë eventuale. Nëse një akuzë bazohet edhe në dokumente të forcave armike, aty duhet të shikohet me dyshim të madh është komplet një situatë dubioze. Duhet me argumente me i luftuar. Njoh shumë prokurorë që janë shumë seriozë dhe duket se në këtë fazë janë ushqyer me dokumente të prodhuara apo janë të rrejshme”, ka thënë Koci.

Të ngjashme