Kodi i Procedurës Penale, gjykimi në mungesë dërgohet në Kryesi pa përkrahjen e komisionit

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 14:20 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar Projekt-Kodin e Procedurës Penale i cili shkoi në kryesi të Kuvendit pa përkrahjen e komisionit me 4 vota pro dhe 4 abstenime, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesja e komisionit, Abulena Haxhiu, tha se ky kod ka avancime, por ende mbetet me probleme pasi që është shqyrtim në parim dhe sipas saj ka vend edhe për korrigjime.

Aty u diskuta për ndryshimin e një amendamenti që të akuzuarit të gjykohen në mungesë.

Haxhiu tha se ajo se çka ka propozuar Qeveria nuk mund të arrihet sepse në propozimin e tyre thuhet se i dyshuari duhet të jetë i pranishëm në gjykimin fillestar dhe atë kryesor dhe kjo sipas saj është e pamundur.

“Gjykimi në mungesë për krimet e luftës, kemi theksu disa parakushte dhe këtu është ndryshe flitet për gjitha veprat penale, por duhet të aplikohet shqyrtimi fillestar dhe kryesor për krimet e luftës e kemi problem me e siguru praninë fizike të dyshuarve”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, tha se me miratimin e këtij ligji do të shërohemi shpirtërisht dhe juridikisht.

“Neni i ri që u shtu në gjykimin në mungesë ka me na u plotsu sepse ka raste individuale që kemi paraqit rast të krimeve gjatë luftës. 20 vjet pas luftës kemi njerëz të identifikuar që kanë kryer krime dhe janë në Serbi. Me miratimin e këtij ligji ka me pas mundësi me u shëru shpirtnisht dhe juridikisht”, tha Izmaku.

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Billal Sherifi, tha se Serbia dhe Gjykata Speciale nuk po bashkëpunojnë prandaj sipas tij është i nevojshëm gjykimi në mungesë.

“Sikur Serbia të ishte kooperative me dorëzimin e të dyshuarve për krime lufte padyshim ne nuk do të kërkonim ta futnim këtë në ligj, por do mblidheshin prova dhe do kërkonim ekstradimin e tyre. Fakti që ata janë të lirë na detyrojnë me e dërgu drejtësinë në vend që dënimi së paku të mund të bënte ndjekjen e tyre penale dhe ata do të binin në mekanizmat e shtetit të Kosovës dhe do të vuanin dënimin e tyre. Duke pas parasysh që as Gjykata Speciale e as e Serbisë nuk po ndjek këto krime e bën të domosdoshme mbajtjen e kësaj dispozite në ligj”, tha ai, raporton EO.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, tha kjo është e panevojshme dhe kërkoi të mos përmenden vetëm qytetarët serb pasi që ka edhe shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi dhe ka informacione për ta.

“Nuk duhet të përfshihen vetëm qytetarët serb, por edhe komunitetet tjera sepse ka edhe shqiptarë që jetojnë në Serbi. Mendoj se Gjykata Speciale ka mbledh informacion, por gjykimi në mungesë është i panevojshëm”, tha Demalijaj.

Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, tha se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje është më i mirë dhe më i detajuar se sa ai i Qeverisë.

“Propozimi që është dhënë nga lëvizja Vetëvendosje është më i plotë, më i detajuar dhe mendoj se ne mund të diskutojmë, por nëse e heqim atë propozim dhe e lëmë atë të qeverisë do të ketë probleme më vonë”, tha Kurteshi.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se së paku le të bëhet dënimi ndërsa vuajtja e tyre mund të arrihet më vonë.

“Ne duhet marrim veprime juridike që së paku me u shqiptu dënimi i atyre personave  se kur mund të dënohen është tjetër çështje”, tha Gashi.

E deputeti Korab Sejdiu tha se gjykimi në mungesë pos që ndihmon për krimet e kryera të luftës, ndihmon edhe për seancat ku kanë të bëjnë me afera korruptive.

Komisioni ka formuar grup punues për monitorimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, i kryesuar nga Albulena Haxhiu, Hajdar Beqa, Korab Sejdiu dhe Bahrim Shabani.

Të ngjashme