Koha kur Ibrahim Rugova ia ndaloi Fatos Nanos të fliste në emër të Kosovës

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 16:43 | Nga

Takimet e udhëheqësve të Shqipërisë me ata të Serbisë, ku diskutohet çështja e Kosovës, si duket nxisin reagime të ashpra në çfarëdo kohe që ndodhin.

Kështu ngjashëm me reagimin e palës kosovare pas takimit të fundit Rama –Vuciq, ku ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, kërkoi që Shqipëria të mos përzihet në raportet Kosovë-Serbi, kishte reaguar edhe Ibrahim Rugova, President i Republikës së Kosovës që nuk njihej ndërkombëtarisht, ndaj takimit Nano –Millosheviq në Kretë të Greqisë, në nëtor të vitit 1997, duke thënë se askush nuk mund të flasë në emër të Kosovës, përveç lidershipit të saj.

Këto reagime të palës kosovare për takimin e shumëpërfolur në Kretë i kishte risjellë në librin e tij, ish-kryediplomati i Shipërisë Paskal Milo, në librin e tij, “Ditari i një ministri të Jashtëm”: Të pathënat për Konferencën e Rambujesë.

Milo në këtë libër, gati në hollësi ka dhënë versionin e tij, rreth takimit Nano –Millosheviq. Ai madje shfaqet kritik ndaj shefit të tij, kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, që kishte hyrë në takim “kokë më kokë” me Millosheviqin, pa praninë e këshilltarëve.

Por, si kishte reaguar atë botë pala kosovare, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Bukoshi dhe Presidenti i Kosovës?

“Qeveria e Kosovës dhe Ibrahim Rugova, që më 2 nëntor kishin dalë me një deklaratë ku shprehej shqetësim, por edhe ankth për mundësinë e diskutimit të çështjes së Kosovës në këtë Samit dhe për mungesën e ftesës për udhëheqësit kosovarë për të marrë pjesë aty. Sigurisht që çështja e pjesëmarrjes nuk ishte e argumentuar, sepse Kosova nuk ishte shtet i pavarur dhe qeveria e zotit Bukoshi e panjohur nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por shigjetimi kryesor në këtë deklaratë, qoftë pa e përmendur me emër, drejtohej kundër Nanos kur thuhej se “askush tjetër, përveç përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, nuk ka mandatin dhe nuk mund të bisedojë në emër të Kosovës, apo të marrë përsipër zgjidhje të çfarëdolloj natyre për Kosovën”, thuhej në këto reagime të Kosovës, të cilat i sjell historiani Milo në librin e tij.

Gati 20 vjet më vonë, edhe pse në rrethana krejtësisht të ndryshme, Kosova tani si shtet reagon ndaj Shqipërisë, përsëri për shkak të Beogradit.

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd dhe Nish, ka përjashtuar çfarëdo përzierje të Tiranës në raportet Kosovë – Serbi.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta kenë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa, çdo bashkëpunim që mund ta ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme