Kokëdhima: Thaçit ia sugjerova dorëheqjen që kur iu komunikua akuza për “krime lufte”

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, në reagimin e tij për dorëheqjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u përballur me akuzën për ‘krime lufte’ të ngritur nga Tribunali i Hagës, shprehet se i kishte kërkuar që të shkonte atje si qytetar i lirë që më 25 qershor.

Kokëdhima fajëson Thaçin dhe elitën politike për dështimin e Kosovës në 20 vitet e fundit si një vend demokratik dhe shtet ligjor dhe se u bënë pjesë e planeve për copëtimin e saj.

Postimi i plotë i Koço Kokëdhimës:

Hashim Thaçi vendosi sot që të përballet me akuzat e Tribunalit të Hagës pa petkun e presidentit të Kosovës, por si qytetar i lirë.Ia sugjerova që ta bënte këtë veprim dinjitar për veten dhe Kosovën që më 25 qershor 2020 kur iu komunikua akuza për “krime lufte”, që të mos fshihej pas postit, duke ruajtur nderin e shtetit që përfaqësonte, ashtu siç kishte bërë dy herë ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Askush nuk mund të njollosë epopenë e ndritur të UÇK-së dhe të hedhë poshtë luftën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Por Thaçi dhe elita politike e Kosovës janë përgjegjës se nuk punuan në dy dekadat e fundit për një vend demokratik dhe shtet ligjor.

Për të mbajtur pushtetin e tyre të korruptuar, lejuan me votën e tyre servile ndaj ambasadorëve të huaj nëpërkëmbjen e luftës heroike të UÇK-së me votën për Gjykatën Speciale, arrestimet flagrante të drejtuesve të UÇK-së në dhunim të dinjitetit njerëzor dhe standardeve demokratike dhe mbi të gjitha shkelën mbi gjakun e derdhur në luftrat shekullore për liri dhe pavarësi, duke u bënë palë në planet për copëtimin e Kosovës.

Ky është krimi më i madh ndaj vendit, të cilin nuk ua fal asnjë shqiptar i ndershëm, ndërsa akuzat e Hagës do të bien, siç u ngritën.

Të ngjashme