Komisionerja e KiE-së Mijatoviq e përfundon vizitën në Kosovë

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, ka përfunduar vizitën e saj në Kosovë, pas takimit me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe organizatave ndërkombëtare në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut.

Vizita që u zhvillua nga 30 maji deri më 3 qershor, u fokusua në drejtësinë tranzicionale dhe kohezionin social, lirinë e medias dhe aspektet kryesore të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, thuhet në një deklaratë për shtyp të KiE-së.

“Komisionerja adresoi disa nga sfidat për mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përparimin e bërë në këtë fushë që nga misioni i paraardhësit të saj në vitin 2017″, thuhet në deklaratë ku shton se diskutimet e saj janë fokusuar në kërkimin e personave të zhdukur, lufta kundër mosndëshkimit për krimet e kohës së luftës, aksesi në dëmshpërblime efektive dhe adekuate për viktimat e dhunës seksuale të lidhur me luftën, të drejtat gjuhësore të komuniteteve joshumicë”.

“Së fundmi, për sa i përket të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, shkalla e lartë e papunësisë tek gratë, aksesi në arsim dhe mbrojtja e viktimave të dhunës në familje ishin ndër çështjet me interes që u diskutuan”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndryshe Kosova ka aplikuar më 12 maj të këtij viti, për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Të ngjashme