Komisionet hetimore, deputetët “të painteresuar” t’i kryejnë obligimet që ua ka ngarkuar Kuvendi

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 08:00 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aktualisht në Kuvendin e Kosovës janë funksionale tri Komisione hetimore: Komisioni Hetimor në lidhje me menaxhimin e pandemisë; Komisioni Hetimor lidhur me procesin e privatizimit dhe Hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, raporton Ekonomia Online.

Deputetët, anëtarë të këtyre Komisioneve kanë mendime të ndryshme sa i përket rezultateve që mund të sjellin në fund të mandatit të dhënë nga Kuvendi.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli pjesë e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, ka thënë se ky Komision ka arritur që të ndikojë në ngritjen e temës së hidrocentraleve në nivel më të lartë.

Madje sipas Avdylit që është edhe iniciues i këtij Komisioni, ata kanë arritur që ta sensibilizojë opinionin për degradimin e ambientit.

“Unë besoj që rezultatet e këtij komisioni do të jenë shumë pozitive. E para është kjo që ne kemi arritur që ne ta ngrisim këtë temë në nivel më të lartë. Kemi arritur që ta sensibilizojmë opinionin edhe gazetaresk edhe opinionin e përgjithshëm për këtë degradim të ambientit që po ndodhë në Kosovën tonë të vogël”.

“Por në të njëjtën kohë ne besojmë që me raportin tonë përfundimtar që ta hartojmë në fund të hetimit do të nxjerri më shumë çështje të cilat do t’u shërbejnë të gjitha organeve si ato të drejtësisë por edhe organeve të ndryshme të ministrisë, ekonomisë që këto të gjetura të hidrocentraleve të atribohen të organet gjegjëse dhe në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë që edhe të krijohet energji e ripërtrsihme dhe në të njëjtën kohë të ruhet ambient”.

Avdyli poashtu ka thënë se dhënia e lejeve mjedisore për operatorin ekonomik KELKOS nga ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka qenë një goditje për punën e këtij Komisioni.

“Lajmi i keq për hetimin e këtij komisioni dhe në përgjithësi për këtë lami janë veprimet të cilat i ka bërë Ministria e Ambientit dhe Ekonomisë, konkretisht për dhënien e lejës mjedisore të një operatori i cili është edhe objekt i hetimit të këtij komisioni. Kjo na ka dhënë një mesazh se përkundër asaj që ju hetoni, përkundër asaj që ju gjeni parregullsi ne do t’i vazhdojmë ato gjëra të cilat nuk kanë qenë deri tash të mira.

“Konkretisht po flasim për operatorin KELOS në grykën e Deçanit i cili përkundër mungesës së lejeve dhe shkeljeve të pikave të kontratës, përkundër degradimit të ambientit që i ka bërë asaj zone të bukur prap se prapë ministria e ka parë të udhës ti jap leje mjedisore edhe atë në vlugun e hetimeve të këtij komisioni. Kjo do të thotë që një objekt kur diçka është nën hetim ajo edhe duhet së paku të shikohet të ndalet por përkundër kësaj organet gjegjëse e kanë parë të udhës që ti japin leje mjedisore dikujt për të cilin ne jemi i hetuar kontratat e mëhershme të cilat kanë qenë abuzive sipas nesh” ka shtuar ai.

Sipas Avdylit arsye e vazhdimit të këtyre lejeve kanë qenë interest jashtë ose brenda politikës.

“Por siç duket interesat tjera jashtë politikës ose brenda kanë bërë që të vazhdohet me lejet mjedisore dhe në këtë drejtim neve na kanë dhënë një goditje sepse kërkesa jonë që në fillim ka qenë që ne të bëjmë një lloj moratoriumi për gjitha lejet që këto leje të ndërkrehen por kjo nuk ka ndodhë dhe unë më të vërtetë shprehi keqardhje për këto vendime që i ka marr Ministria e Ambientit dhe Ekonomisë.”

“Mendoj që këto gjëra duhet të rishikohen dhe shpresoj që ne përmes këtij komisioni do të dalim me të gjetura dhe  do t’i rrëzojnë këto pretendime të ministrisë që përkundër shkeljeve që janë e kanë parë të udhës që të japin leje mjedisore për një operator që faktikisht në bazë të asaj që kemi parë në terren dhe çka po shohim deri më tash nuk i ka plotësuar kriteret. Tash ne do ta hetojmë edhe këtë çështje, do ta shohim se ku i ka parë ministria ato plotësime të kritereve sepse edhe banorët lokal edhe shoqëria civile kanë bërë ankesa, por mbetet për tu parë”, ka thënë Avdyli.

Por deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi i cili është pjesë e këtij Komisioni po konsideron se ka pasur ngecje pasi që deputetet nuk janë të interesuar që të përfundojnë obligimet që ua ka ngarkuar Kuvendi.

 “Tashmë po bëhen gati tre muaj që kur ky komision është dashur që të fillojë punën, por për fat të keq kemi pasur ngecje. Deri më tash ky komision është përcjell me debate të panevojshme në mes të anëtarëve, këtij komisioni nuk i janë dërguar materialet e nevojshme që me filluar punën hetimore nga institucionet relevante ndonëse kjo gjë është obligim ligjor, pastaj ky komision ende nuk i ka përzgjedhur ekspertët gjë e cila është e rëndësishme në hartimin e raportit përfundimtar dhe definitivisht jo nuk jemi të kënaqur edhe kam arsyeje me besuar disa deputetë nuk janë të interesuar që ta përfundojnë obligimin që iu ka ngarkuar Kuvendi”, është shprehur Abrashi.

Bashkëpartiaku i Abrashit, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë Hajrullah Çeku i ka thënë për Ekonomia Online se janë mbledhur fakte për shkeljet që kanë ndodhur gjatë privatizimeve në Kosovë dhe se ai pret aktivizim të institucioneve përkatëse.

“Unë besoj që në periudhën e parë tremujore të Komisionit është grumbulluar mjaftueshëm dëshmi dhe informacion për të konkluduar se ka pasur parregullsi në procesin e privatizimit përgjatë 17 viteve në Kosovë. Besoj që tani do të kalojmë në fazën e shqyrtimit të dëshmive dhe fakteve për të përfunduar në raportin e fundit që e nxjerrë Komisioni. Megjithatë në këtë fazë të punëve po besoj që ka qenë i rëndësishëm themelimi i këtij Komisioni dhje unë pres që raporti përfundimtar të prodhoj efekte pozitive në kuptim të aktivizimit të institucioneve tjera që e kanë neglizhuar çështjen e shkeljeve që kanë ndodhur gjatë privatizimit në Kosovë”.

Poashtu Çeku ka thënë se Kuvendi ka rol të rëndësishëm në ndriçimin e rasteve si ai për privatizim dhe atij të hidrocentraleve, raporton EO.

“Në përgjithësi hetimi parlamentar është një ndihmesë që i bëhet çështjeve që janë pak më të ndërlikuara dhe kërkojnë ndriçim më të madh. Unë besoj që Kuvendin e luan një rol të rëndësishëm në shtyerjen përpara të disa çështjeve. Aktualisht e kemi çështjen e privatizimeve, hidrocentraleve dhe të tjera në procedim në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet të kemi pritje të jashtëzakonshme nga komisionet hetimore sepse edhe mandati i hetimit parlamentar është i kufizuar, por megjithatë unë mendoj që këto hetime parlamentare ndihmojnë institucionet tjera që t’i trajtojnë çështjet problematike dhe këtu fjalën e kam kryesisht për institucionin e drejtësisë”.

Të ngjashme