Komisioni Hetimor fton ish-kryeministrat dhe ministrat për dëshmitarë të keqpërdorimeve me energji

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 15:04 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryeministrat, Agim Çeku, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj do të intervistohen nga Komisioni Hetimor në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, raporton Ekonomia Online.

Ky Komision që synon t’i hetojë keqpërdorimet në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, do t’i intervistojë edhe disa ish-ministra.

Bëhet fjalë për ish-ministrat, Besim Beqaj, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Fadil Ismaili, Valdrin Lluka, Muharrem Nitaj e Justina Pula.

Por me mosfutjen në këtë listë të kryeministrit Albin Kurti, reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Ai kërkoi që në këtë listë pos Kurtit të futet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Është e pandershme me përmend Hashim Thaçin e jo Albin Kurtin. Nëse dëshironi të bëni politikë, bëjmë politikë. Është e pandershme me anashkalu Qeverinë Kurti 1 dhe 2, e mos ta përmendësh Hekuran Muratin e Besnik Bislimin”, tha Beqa.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se duhet të zgjedhën për intervisitm kryeministrat e atëhershëm dhe të tanishëm, kryetarët e bordeve dhe të punojnë bashkë pozitë dhe opozitë.

“Nuk jemi të interesuar me humb kohë kot. Si shumicë merrni ju këtë përgjegjësi. Duhet te shkojmë me raportet aktuale. LDK nuk është e interesuar të vijë këtu të krijojmë situata për publikun, të nxjerrim tituj për media. Pjesa qe nuk përputhet me periudhën ligjore të ligjit mundet mu ataku. Ju jeni të interesuar në kuptimin e luftës që po i paraqitni është mos me pas rezultat, ne jemi me pas rezultat”, tha Zemaj.

Deputeti i VV-së, Armend Muja tha se listat mund të zgjerohen vazhdimisht dhe se kanë të drejtë edhe opozita të sjellin emra për t’u intervistuar.

“Nuk është çështje që po i shohim si objekt hetimor por si dëshmitar. Nuk jemi të interesuar për tituj z. Zemaj. Mund të keni informacione relevant, mund edhe mos të keni por unë konsiderojë qe kanë. Listat e dëshmitarëve mund të ndryshojnë çdo moment dhe të pasurohen deri në momentin e fundit. Kjo listë nuk është e plotë, prandaj jeni edhe ju qe të sillni emra në listë”, tha Muja.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka dhënë propozimin e LDK-së lidhur me propozimin e listave.

“Kryeministrat, ministrat, anëtarë të bordeve, kryetarë të bordeve, kryeshefat deri në periudhën e vitit 2022. Përfshirë edhe ambasadorin e famshëm Martin Berishaj”, tha ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka propozuar shumicën e kabinetit qeveritar, në krye me kryeministrin Albin Kurti.

“Albin Kurti, Rozeta Hajdari, Martin Berishaj, Mimoza Kusari-Lila, Artane Rizvanolli, Besnik Bislimi, Hekuran Murati dhe Martin Berishaj”, tha Beqa.

Deputeti i PDK-së, njëherësh kryetari i këtij Komisioni, Hajdar Beqa ka kërkuar që lista të kompletohet për herën tjetër dhe si i tillë të votohet në mbledhjen e ardhshme.

Të ngjashme