Komisioni hetimor fton menaxhmetin e Telekomit, Llukës i kërkohet mosripërtëritja e kontratës me Z-Mobile

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 11:20 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Hetimor Parlamentar ka vendosur që të ftojë në raportim menaxhmentin aktual dhe kryetarin e Bordit të Telekomit për të pasqyruar gjendjen në Telekom, raporton Ekonomia Online.

Poashtu, komisioni vendosi që të dërgojë letër ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për pezullimin e ripërtrirjes së kontratës me Z-Mobile.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, propozoi që së pari hetimi duhet të fillojë nga kontrata me Z-Mobile. Sipas saj, aty ka filluar degradimi i kësaj ndërmarrje.

“Ka pasur një komunikatë të sindikatës së Telekomit dhe komisioni i brendshëm i Telekomit po avancon marrëveshjen me pronarët e Z Mobile dhe duke marrë parasysh që kjo kontratë është e dëmshme, konsideroj që ne si komision duhet kërkojmë nga menaxhmenti i bordit që mos të vazhdojë ripërtëritjen e kësaj kontrate. Ne duhet të marrim një vendim që ata mos të marrin asnjë vendim sa i përket kësaj kontrate”, tha Haxhiu.

Kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri, propozoi që këtë të enjte të ftohet kryeshefi ekzekutiv i Telekomit dhe drejtori i bordit të kësaj ndërmarrje.

“Propozoj ta thërrasim menaxhmentin e Telekomit për ditën e enjte në orën 10 për të raportuar para komisionit”, tha Ymeri, raporton EO.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se diskutimet për degradimin e Telekomit duhet të fillojnë nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.

“Mendoj qe duhet të i përmbahemi planit të punës dhe nëse i përmbahemi ne e kemi edhe heqjen e dilemës se kë duhet ta ftojnë e kë jo, kjo që ju e propozuat si pikë shtesë që të fillojmë me menaxhmentin aktual mund të jetë e kapshme për aktivitetin që po e bëjmë, na kanë ardhur kontrata ato që kanë ardhur”, tha Zemaj.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, tha se politika me vendimet e saj jo ekonomike ka dashur të i arrijë qëllimet e saj nepotiste.

“Lista e ekspertëve që kemi propozuar është një pikënisje e mirë por mendoj që gjatë rrugës për problematika specifike mendoj që duhet të thërrasim ekspertë të ndryshëm, pasi që gjatë ecurisë mund të na del një çështje që do na duhen ekspertë të caktuar. Menaxhmenti i PTK-së e ka përgjegjësinë e vet por ka qenë politika që këto vite me vendimet e saj jo ekonomike ka dashur të i arrijnë qëllimet e saj nepotiste pastaj edhe zhvatjes së kësaj ndërmarrje. Ky komision do duhej të ishte edhe një pikënisje e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrje”, tha Avdyli.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, kërkoi të dinte për listën e materialeve të sjella nga menaxhmenti i Telekomit, të cilat do shërbejnë për hetimin e kësaj ndërmarrje.

“Mu më intereson në listën e materialeve që i kanë sjellë ata a mundemi me siguruar gjatë kësaj mbledhje me ditë se çka kanë sjellë ata”, kërkoi të dinte Aliu.

Pasi që këto dokumentacione përmbajnë sekret shtetëror, kryesuesi i komisionit Visar Ymeri, tha se ato do të lejohen për deputetët pasi nënshkrimit të letrës konfidenciale.

“Sa i përket dokumentacionit ka ardhë shumica e dokumentacionit por po presim edhe për një pjesë tjetër, kur të sillet edhe dokumentacioni shtesë edhe ai do jetë në dispozicion të anëtarëve të komisionit”, tha Ymeri.

Ymeri u shpreh se intervistimi i themeluesve të kontratave të Telekomit e posaçërisht të asaj Z-Mobile, duhet të fillojë pikërisht nga ata që e kanë nënshkruat këtë kontratë.

“Ne mund të veprojmë në dy mënyra sa i përket planit të punës dhe atë do e vendosim bashkërisht nëse ne e vendosim si komision çështjen e kontratës me Z-Mobile ne më mirë kishte me qenë me filluar me intervistim me njerëzit kryesor që e kanë filluar këtë kontratë. Nëse vendosim me i thirr prej niveleve politike atëherë duhet të vendosin se cilën qeveri duhet ta thërrasim, atë aktuale apo qeveritë e kaluara”, tha Ymeri.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se komisioni duhet të jetë i kujdesshëm dhe mos të ftojë njerëz që nuk kanë lidhje me çështjen e degradimit të Telekomit.

“Ne duhet të jemi të vëmendshëm me kohën qe e kemi dhe mos ti ftojmë atë dëshmitarë që nuk kanë lidhje me çështjen që po e zhvillojmë por të kemi një ndarje korrekte”, tha Deliu-Kodra.

Ndërsa deputeti, Liburn Aliu, tha se hetimet duhet të fillojnë nga çështja qendrore ajo e kontratës së Z-Mobile, sipas tij, kjo çështje është një pilot rast që do e fusë komisionin në binarët e hetimeve.

“Me qenë se ka qenë çështja qendrore kontrata e Z-Mobile unë kisha propozuar që kjo çështje të jetë e para për hetim, mendoj që prej javës së ardhshme ta kemi fokusin tek kjo çështje qendrore, të fillojmë së pari me Z-Mobile që të jetë një pilot rast i cili do na fusë në binarët e hetimeve pasi që është një çështje më problematike pasi që preh që e kemi filluar çështjen e hetimeve menjëherë kemi menduar që me të parin të merremi me Z-Mobile”, tha ai.

Zemaj në anën tjetër tha se problemi themeltar për degradimin e ndërmarrjes së Telekomit ka qenë periudha e vitit 2008, pas shpalljes së Pavarësisë.

“Mendoj që duhet të fillojmë prej problemit themeltar pas pavarësisë kur Kosova i ka marrë kompetencat edhe mbi ndërmarrjet publike dhe mendoj që problemi është politik, në kulmin e kësaj ndërmarrje dikush e ka marrë një vendim që këtë zhvillim ta ndalë dhe të marrë hapat e therë dhe mendoj që këtë ta vendosim si problem prioritar”, tha ai.

Deputeti Visar Ymeri, tha se kontrata e Z-Mobile me Telekomin, shpërfaqë logjikën e nënshkrimit të kontratave të tjera që kanë pasuar pas nënshkrimit të kontratës së Telekomit me Zmobile

“Mendoj që përmes kontratës së Z-Mobile pak a shumë e shpërfaqë të gjithë logjikën se çka ka ndodhë edhe me kontratat e tjera, por mendoj që Z-Mobile duhet të jetë fokusi, kur të kalojmë te përgjegjësia politike ne i kemi dy çështje që duhet me biseduar me ta e para është ndërhyrja e tyre dhe e dyta që është përgjegjësia e tyre, si ndalimi i investimeve. propozoj që shumicën e intervisitim të dëshmitarëve me e përfunduar gjatë muajit maj dhe qershor”, tha Ymeri.

Të ngjashme