Komisioni i Venecias gjen mangësi në draftligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Prishtinë | 18 Qer 2022 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Mangësi e rekomandime janë renditur në opinionin e Komisionit të Venecias në shqyrtimin e Draftligjit për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Në opinionin, të cilin e ka parë KOHA, thuhet se krijimi i një mekanizmi të tillë mund të kishte rëndësi për të siguruar masa për zhvillimin ekonomik të vendit, megjithatë procedurat e konfiskimit duhet të rregullohen e implementohen në pajtim me Kushtetutën.

“Disa bashkëbisedues të raportuesve argumentuan se numri i ulët i konfiskimeve të kryera deri më tani mund të shpjegohej kryesisht me zbatimin e mangët të ligjit aktual, në vend të mangësive në vetë legjislacionin”, thuhet ndër tjerash në opnionin e Komisionit të Venecias për këtë draftligj.

“Komisioni i Venecias thekson se legjislacioni i propozuar s’mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e korrupsionit dhe duhet të ketë përfshirje me qasje më të gjerë, me sërë masash praktike, për të rritur efikasitetin e sistemit të zbatimit të ligjit”.

“Për më shumë, është e dyshimtë, nëse krijimi i një organi të ri do ta bënte luftën kundër korrupsionit vërtetë më efektive – ose nëse do ta ndërlikonte të gjithë sistemin që tashmë përfshin një sërë organesh, si Policinë, Prokurorinë, autoritetet doganore dhe Agjencinë Kundër-Korrupsionit”, thuhet në opinion që shton se në çfarëdo rasti duhet të kombinohet me praktika të mëhershme ndërkombëtare.

Teksa ka thënë se një legjislacion i tillë është i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut, Komisioni i Venecias ka thënë se ai mund të pranohet vetëm nëse ndërtohet mbi një mekanizëm të pavarur me të gjitha fuqitë dhe burimet e nevojshme për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. I ka konsideruar të pamjaftueshme dispozitat aktuale në draftligj në këtë drejtim.

Në fund, në opinionin parafinal e që pritet të publikohet së shpejti, ky komision ka renditur gjashtë rekomandime, me njërin nga to që thekson se duhet të ketë garanci të forta mbi pavarësinë e Byrosë dhe sigurimin e personelit të specializuar po që se vazhdohet me synimin për këtë projektligj.

Qeveria e Kosovës me këtë ligj synon themelimin e një Byroje Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme. Kjo Byro do të bëjë kërkesë për konfiskim të pasurisë në Gjykatë.

Në llupë të saj do të jenë të gjithë zyrtarët publikë dhe ata të ekspozuar politikisht, tek e cila kategori do të hyjnë edhe ata me funksione në organizata ndërkombëtare në vend. Persona zyrtarë që mund t’i nënshtrohen këtij ligji janë ata që kryejnë punë zyrtare në organe shtetërore, personat e zgjedhur në institucione dhe ata ushtarakë. Barra e provës për të dëshmuar se pasuria është e justifikueshme i mbetet palës së dyshuar. Konfiskimi do të bëhet në procedurë civile.

Pra me këtë ligj s’do të ketë dënime për zyrtarët, veçse pasuria e pajustifikueshme mund të konfiskohet. Po ashtu është bërë e ditur se si procedurë në Byro, nëse vërehet se s’ka shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë dhe ajo s’tejkalon vlerën 25 mijë euro, propozohet mbyllja e rastit. Ndërsa nëse tejkalohet ajo vlerë, propozohet dërgimi i çështjes në Gjykatë për konfiskim.

Të ngjashme