Komisioni i Venecias ia hodhi poshtë pjesën kryesore të projektligjit, Ministrja Haxhiu e lexon ndryshe

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse Komisioni i Venecias i ka hedhur poshtë dispozitat kryesore të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të përgatitur nga Qeveria, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu është shprehur e lumtur për dy rekomandime të dhëna, siç i quan ajo pozitive.

Me anë të një reagimi në profilin e saj në Facebook, Albulena Haxhiu, nuk e ka komentuar pjesën e hudhjes poshtë të dispozitave kryesore, por ka thënë se do t’i ndjekin pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Jam shumë e lumtur që Komisioni i Venecias, përmes opinionit i cili tashmë është publik, ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7 e po ashtu ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit, për disa anëtarë të KPK.

Ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falenderojmë për bashkëpunimin.

Të premten në orën 10:00, grupi punues vazhdon punën në projektligje.

E kuptoj që reforma në drejtësi nuk i shkon për shtati as disa portaleve por nuk kemi çfarë t’ju bëjmë përveç se të angazhohemi shumë më shumë deri sa Kosova të jetë shtet i së drejtës”, ka shkruar Haxhiu në FB-në e saj, transmeton Express.

Në opinionin e publikuar të hënën, Komisioni i Venecias e ka konsideruar të rrezikshëm planin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, raporton Gazeta Express.

Komisioni i Venecias thotë se reforma që Qeveria planifikon ta bëjë në sistemin prokurorial nuk duhet të çojë në nënshtrimin e Këshillit Prokuorial ndaj shumicës qeverisëse.

“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj mazhorancës qeverisëse. Projekt amandamentet propozojnë që të gjithë anëtarët e pavarur të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Ehat Miftaraj i Institutit të Kosovës për Drejtësi e ka quajtur fitore të madhe të sundimit të ligjit në Kosovë opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me Projektligjin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Prokurorial.

Të ngjashme