Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë miratoi deklaratën e Takimit VII

Prishtinë | 05 Nën 2021 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Nën udhëheqjen e përbashkët Mimoza Kusari-Lila, kryetare e delegacionit të Kosovës, si dhe Romeo Franz, kryetar i delegacionit të PE-së, Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë, vazhdoi sot, në ditën e dytë, punimet takimit të përbashkët, me pikat e parapara në agjendë.

Kryesuesi nga delegacioni i PE-së, Romeo Franz, pasi i falënderoi anëtarët e këtij komisioni, vijoi me pikën e pestë të agjendës në lidhje me energjinë, tranzicionin në ekonomi të gjelbër dhe çështjet e mjedisit, përfshirë mbeturinat dhe menaxhimin e ujërave të zeza.

Ndër të tjera, z. Franz theksoi se përkundër faktit që Kosova është pajtuar dhe ka shënuar rritje për 20 për qind referuar Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, për burime të ripëritrishme, janë një sërë elementesh që mbeten akoma shqetësuese.

“Nëntëdhjetë e tetë për qind e energjisë së Kosovës varet nga dy termocentralet tashmë të vjetruara, të cilat përbëjnë një kërcënim të madh për shëndetin e qytetarëve. Prandaj, është shumë e rëndësishme që diversifikimi i burimeve të energjisë të bëhet sa më shpejtë në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe mjedisi”, theksoi Franz.

Në anën tjetër, nga deputetët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Elmi Reçica, u tha se kriza klimatike është fakt i cili nuk mund të mohohet dhe se ka marrë përmasa më të gjera gjatë pandemisë, duke u pajtuar në atë se tranzicioni duhet të jetë i menjëhershëm, i drejtë, gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.

Tutje, komisioni vazhdoi punimet me pikën rreth sundimit të ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit.

Deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, duke folur për pikën e lartcekur, theksoi se Kosova ka shënuar progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke i listuar kështu disa nga të arriturat që janë bërë në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, ajo tha se Kosova vazhdon të mos trajtohet e barabartë me shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda BE-së.

Më tej, deputetja Blerta Deliu Kodra, ndër të tjera tha edhe pse ka progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, angazhimi për shtetin e së drejtës, ligjor dhe të barabartë për të gjithë vazhdon të mbetet prioritet.

Sa i përket pikës për të drejtat themelore, me fokus tek dhuna në familje dhe vrasja e grave (femicidi), si dhe situata e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, kryesuesi Franz tha se indikatori kryesor për matjen e tolerancës dhe vlerës që ka një shoqëri, është mënyra e respektimit të komuniteteve joshumicë.

Referuar dhunës në familje, femicidit dhe komunitetit LGBT, ai tha se ky është një realitet i hidhur, e akoma më shumë i përhapur gjatë pandemisë.

Duke folur lidhur me ambientin dhe deponitë ilegale të mbeturave, anëtari i komisionit, Haki Abazi, tha se ka qenë përgjegjësi e institucioneve që të gjejnë vendet e përshtatshme për hedhjen e mbeturinave, ndërsa bëri thirrje për një rol më proaktiv lidhur me menaxhimin e tyre dhe eliminimin e deponive ilegale.

Eurodeputetja Bettina Vollath, theksoi se edhe pse Kosova është pjesë e Konventës së Stambollit, mbetet brengosëse mos përafrimi i ligjeve me konventën në fjalë, si dhe rritja e dhunës në familje dhe femicidi.

Në bashkërendim me parafolësit, deputeti Armend Zemaj, ndër të tjera tha se lufta kundër dhunës ndaj grave duhet të jetë prioritet. Ai tha se Kuvendi, me anë të mekanizmave dhe strategjive përkatëse, ka luajtur rol aktiv në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Deputeti Bahrim Shabani theksoi se Kosova ka një rrugë të gjatë për përfshirjen e kënaqshme të komuniteteve joshumicë në nivel lokal dhe atë qendror. Sipas tij, shqetësuese mbetet gjendja socio-ekonomike, përfshirja në arsim, të drejtat pronësore etj.

Duke iu uruar 5 Nëntorin, ditën botërore të gjuhës rome, bashkëkryesuesit Kusari Lila dhe Franc, falënderuan anëtarët e komisionit për këtë takim dyditor të frytshëm për të dyja palët.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi Deklaratën e përbashkët, me amendamente.

Miratimi i deklaratës shënoi edhe përfundimin e Takimit VII të komisionit, ndërsa takimi i radhës pritet të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm, në Strasburg.

Pas përfundimit të takimit, bashkëkryesuesit Mimoza Kusari-Lila dhe Romeo Franz, me një adresim të përbashkët për medie, bën një rezyme të të gjitha pikave të takimit.

Kusari-Lila ndër të tjera tha se sa u përket temave të parapara në agjendë, u zhvilluan diskutime të frytshme dhe se përgjatë takimit mbizotëronte një frymë bashkëpunuese dhe pozitive në mes të dy delegacioneve, që rezultoi edhe me miratimin e deklaratës me rekomandime të përbashkëta.

“Deklarata me rekomandime të përbashkëta, e miratuar sot nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim mirëpret përkushtimin e Kosovës në rrugën evropiane, duke përmendur edhe përkushtimin e autoriteteve vendore në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Kusari-Lila.

Në anën tjetër, eurodeputeti Roemo Franz, pas një përmbledhjeje të shkurtër të pikave të diskutuara në takim, theksoi se Kosova dhe qytetarët e saj asnjëherë nuk duhet të kenë dyshime sa i përket mbështetjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që jemi duke kërkuar shumë nga ju, ndërkohë që jemi shumë të vetëdijshëm se i takon edhe vet BE-së, dhe në veçanti shteteve të saj anëtare, që t’i përmbushin premtimet e tyre dhe përfundimisht të bëhet liberalizimi i vizave, i vonuar prej vitesh”, tha eurodeputeti Franz.

Të ngjashme