Komisioni për Buxhet i përgjigjet Kushtetueses për vendimin për pagesën e rrymës në veri

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 11:16 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka votuar rekomandimin e deputetes Jeta Statovci, që t’i dërgohet përgjigje Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me vendimin për pagesën e rrymës nga ana e Qeverisë për qytetarët në veri, raporton Ekonomia Online.

E kundër kësaj ishin deputetët e partive opozitare. Deputetja e VV-së, Jeta Statovci, tha se përgjigjet trajtojnë tri aspekte të ndryshme.

“Përgjigjet trajtojnë tri aspektet e ngritura, fillimisht kanë të bëjnë nëse kjo çështje është dashur të trajtoj nga Komisioni për Buxhet. Andaj, në përgjigje iu kam referuar rregullores së Kuvendit ku thuhet që nuk përcaktohet se Komisioni Funksional merr mendim apo opinion nga komisionet tjera, kështu që në këtë rast Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere gjithashtu edhe ai mbikëqyrës i financave nuk kanë pasur në bazë të rregullores ndonjë obligim me dhënë opinione”, theksoi ajo.

Nga PDK-ja Mërgim Lushtaku, tha se rekomandimet e Kuvendit kanë prodhuar pasojë juridike.

“Për këtë rast fatkeqësisht që ka të bëjë për pagesën e rrymës në veri, shihet qartë që nuk është proceduar në të gjitha Komisionet, dhe për mendimin tim, kjo tregon që ka një shkelje edhe Kushtetuese dhe të ligjit për menaxhimin e financave publike. Pavarësisht opinionit që mundet me i dhënë Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, unë si anëtar i komisionit do të paraqes një parashtresë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ju (pozita) i keni numrat, mundeni edhe me kaluar një vendim të tillë, por nuk është korrekte”.

“Na si opozitë kemi parë që jena të pafuqishëm në seancë, kur është marr vendimi a ka pas diskutimi apo jo, dhe si Komision e dimë që nuk ka pasur dhe ne duhet të jemi real”, tha Lushtaku.

Mirëpo, me këtë nuk po pajtohet deputeti i VV-së Eman Rrahmani pasi që tha se nuk i takon këtij Komisioni që ta trajtojë këtë çështje.

Edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj thotë se kanë hyrë në punë që nuk ju takojnë, raporton EO.

“Sa i përket kësaj çështje, mendoj që Komisioni për Buxhet nuk e ka trajtuar, kështu që ajo çfarë na është kërkuar mund t’i përgjigjemi vetëm se këtë çështje nuk e kemi trajtuar. Për pagesën e rrymës veri, kemi qenë kundër, kam qenë kundër, sepse dihet baza ekzekutive se kush e lejon KOSTT-in sa i përket dividentave për trajtim dhe shpenzim të atyre parave. Nuk është kuvendi ai që t’ia caktoj shumën se kush e sa duhet të paguaj. Kuvendi ka mundur qeverinë e Kosovës me obliguar me një amandemantim që ta paguaj këtë shumë, që asnjë herë nuk kam qenë pro. Ne si kuvend kemi hyrë aty ku nuk duhet, por është Gjykata Kushtetuese që do ta thotë fjalën e vet”, tha Lekaj.

Të njëjtin mendim ka edhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, se nuk ju takon të komentojnë përgjigjen e KOSTT-it drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Te pyetja e tretë, unë nuk besoj që ne mundemi dhe as që duhet madje që ne të japim vlerësimin tonë si komision për përgjigjen që KOSTT-i, ia ka dhënë Gjykatës Kushtetuese. Kush jemi ne? Çfarë kompetencë kemi ne si komision që ne të vlerësojmë se a është me vend apo jo. Sugjerimi im është që përgjigja jona nga ana e komisionit të jetë shumë e thjesht: Komisioni nuk e ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, përpara se të shkoj në kuvend. Edhe në pyetjen e fundit, që ne nuk mund të japim vlerësim për përgjigjet e KOSTT-it drejtuar Kushtetueses…Kuvendi në fakt nuk ka marrë as vendim, ka dhënë një listë të rekomandimeve që ia ka dërguar KOSTT-it. Kur kuvendi është marrë me këtë çështje ka bërë edhe shkelje ligjore dhe këto shkelje nuk mund të fshehën pas vendimeve kolektive. Është shkel ligji për shoqërinë tregtare, nuk mundet Kuvendi me vendos për me ndarë mjete të KOSTT-it”, theksoi Hoti.

Pagesa e rrymës në veri, Hoti tha se është problem i pazgjidhur.

Të ngjashme