Komisionit për Integrime i duhet ende kohë për Projektligjet për Konfiskimin e Pasurisë e Sinjalizuesit

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 11:54 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar Projekt-Kodin Penal, Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Projektligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Sipas kryesueses së komisionit Blerta Deliu-Kodra këto projektligje nuk janë në kundërshtim me legjislacion të BE-së dhe si të tillë mund të rekomandohen për procedurë të mëtutjeshme, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa Projektligjet për Konfiskimin e Pasurisë dhe Sinjalizuesit, anëtarët e komisionit thanën që ende nuk janë të gatshëm për këtë projektligj dhe kërkuan 24 orë të paktën kohë që mund të trajtohen më mirë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se për projektligjet që kanë ardhur në mënyrë të përshpejtuar duhet ende më shumë kohë që të shqyrtohen pasi që janë shumë me rëndësi.

“Me na mundësuar kohë me i shqyrtuar deri nesër, çdo ligj është i rëndësishëm, por konfiskimi pasurisë më duhet kohë me i shikuar amendamentet a janë në rregull. Mbrojtja e sinjalizueseve në Kosovë ka kohë që ka pasur nevojë për një ligj të tillë”, tha ai.

Anëtarja e komisionit, deputetja e VV-së Fatmire Kollçaku po ashtu kërkoi kohë shtesë, raporton EO.

“Mendoj se kemi nevojë së paku 24 orë sepse janë të rëndësishëm konfiskimi i pasurisë brenda mundësive ta ftoni një takim për nesër”, tha ajo.

Me kërkesën e anëtarëve të komisionit, mbledhja e radhës u caktua për ditën e nesërme në ora 10 që të diskutohet për këto dy projektligje.

Deliu-Kodra tha se komisioni për Integrime ka vendos për dy projektligjet në fjalë që kanë ardhur në procedurë të përshpejtuar të mbahet nesër ne ora 10.

“Do ta shtyjmë takimin për nesër e caktojmë mbledhje të re për dy projektligjet që kanë ardhur në mënyrë të përshpejtuar”, tha Deliu-Kodra.

Të ngjashme