Komisioni për matjen e territorit, ende jofunksional

Prishtinë | 15 Jan 2017 | 09:46 | Nga

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, të cilin e ka propozuar Qeveria e Kosovës, ende nuk ka arritur të formohet dhe mbetet pikëpyetje se kur një komision i tillë do të mund të fillonte punën, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria tashmë ua ka dërguar ftesat 18 subjekteve, përfaqësuesit e të cilave është paraparë se duhet të jenë pjesë e këtij komisioni.

Sipas tij, afati i kthimit të përgjigjes lidhur me pjesëmarrjen ose jo në këtë komision nga subjektet e ftuara, është gjysma e janarit të këtij viti. Në rast se përgjigjen pozitivisht subjektet e ftuara, sipas Abdullahut, puna e komisionit do të niste menjëherë.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim sipas logjikës ‘sa më shpejt aq më mirë’ dhe menjëherë, në kohën që do t’i kemi ekspertët e institucioneve përkatëse, prej të cilave kemi kërkuar që të na dërgohen si pjesëmarrës aktiv të këtij komisioni, menjëherë do të fillohet nga puna, sepse është çështje urgjente, që nuk pret dhe duhet ta procedojmë sa më shpejt”, deklaron Abdullahu.

Ai shton se ftesat për pjesëmarrje në Komisionin për matjen e territorit të Kosovës, u janë bërë institucioneve të ndryshme që janë të ndërlidhura drejtpërdrejt në aspektin profesional me çështjen, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, komunave që janë të prekura nga procesi, sikurse; Deçani, Istogu dhe Juniku, si dhe u është kërkuar edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë që t’i dërgojnë ekspertët e tyre për vëzhgim të procesit.

Sipas Abdullahut, për pjesëmarrje në këtë komision, ftesat që t’i dërgojnë ekspertët e tyre u janë bërë edhe partive politike, përfshirë këtu edhe ato opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, të cilat kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Por, Muharrem Nitaj, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky opozitar, duke folur për Radion Evropa e Lirë, hedh poshtë mundësinë që ky subjekt t’i përgjigjet pozitivisht pjesëmarrjes në Komisionin e propozuar nga Qeveria e Kosovës. Sipas Nitajt, qëndrimi i AAK-së është që Qeveria e Kosovës po përpiqet që opinionit publik t’i hedhë hi syve, për, siç thotë ai, kinse gjetjen e një modaliteti që do ta korrigjonte demarkacionin me Malin e Zi.

Nitaj thekson se AAK-ja është e betonuar në qëndrimin e saj që demarkacioni me Malin e Zi, duhet të shënohet në bazë të fakteve dhe gjetjeve që kanë dëshmuar se vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka devijuar për disa kilometra në brendi të territorit të Kosovës.

“Nuk mund të korrigjohet shënjimi i kufirit duke matur territorin e brendshëm të Kosovës. Prandaj, ne nuk kemi fare pse të japim përgjigje në këtë nismë, sepse përgjigjen tonë e kemi dhënë akoma pa filluar kjo nismë”, shprehet Nitaj.

Në anën tjetër, Abdullahu, thekson se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që opozita të jetë pjesëmarrëse në Komisionin për matjen e territorit dhe të jetë pjesë e procesit.

Por, çfarë nëse partitë opozitare vendosin të kundërtën, ashtu siç tashmë e konfirmon Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës?

“Do të mbetet që kryeministri dhe dikasteret përkatëse të vendosin për këtë çështje, në rast se nuk do ta kemi edhe pjesëmarrjen edhe të opozitës, që të vazhdojmë tutje apo jo. Se si do të vendoset nëse ata nuk do të vijnë, është çështje, të cilën ne nuk e kemi diskutuar”.

“Por, besoj që në të ardhmen e afërt, ngase është çështje që nuk pret, është çështje që duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe aq më mirë – ne do të vendosim se si do të procedojmë tutje, në rast se do të kemi qasje të kësaj natyre”, sqaron Abdullahu.

Sido që të jetë, kundërshtimet e partive opozitare, por edhe të disa deputetëve të partive në pushtet, si dhe ngrirje a pjesëmarrjes së deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, kanë pamundësuar sigurimin e votave të mjaftueshme për miratimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga legjislativi i vendit.

Në një situatë të tillë, me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, miratimi i marrëveshjes për demarkacionin me malin e Zi, është tërhequr nga Kuvendi i Kosovës, derisa për këtë të sigurohen votat e mjaftueshme.

Zyrtarët e Qeverisë së vendit kanë theksuar se matja e territorit të Kosovës do ti siguronte faktet nëse Kosova ka humbur territor ose jo me marrëveshjen për demarkacion me malin e Zi, në mënyrë që ta lehtësonte procesin e miratimit të kësaj marrëveshjeje.(REL)

Të ngjashme