Komisioni për matjen e territorit të Kosovës nuk e ka mbështetjen e të gjithëve

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 15:14 | Nga

Qeveria e Kosovës ka themeluar një Komision për matjen e territorit të vendit, mirëpo ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e opozitës për këtë qëllim si dhe përkrahjen e disa deputeteve nga partitë e koalicionit.

Vendimi për themelimin e këtij Komisioni është marrë të premten në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se qëllimi i formimit të këtij komisioni është që të përcaktohet nëse me Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Kosova ka humbur territor, siç po pretendon opozita dhe një pjesë e deputetëve nga partitë në pushtet.

“Objektivi themelor i këtij Komisioni është që të vërtetojmë se sa është territori i Kosovës dhe se a ka pasur ndryshim në sipërfaqen e Kosovës në krahasim më atë që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit të kaluar dhe pasi që është nënshkruar marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që para opinionit publik dhe para deputetëve të sqarojmë se a ka humbur territor Kosova apo nuk ka humbur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Komisionin për matjen e territorit të Kosovës është thënë se do ta përbëjnë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave, anëtarë të Fakultetit të Shkencave matematiko-natyrore, përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit e rajonit të Pejës ku ndodhet edhe kufiri i diskutueshëm.

Është paraparë edhe përfshirja e KFOR-it, Bashkimit Evropian, EULEX-it dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendimi për themelimin e këtij Komisioni është marrë pasi Kosova nuk arriti që ta ratifikojë marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, për shkak të kundërshtimeve të opozitës, por edhe një pjese të deputetëve të koalicionit qeverisës.

Këta të fundit nuk po e përkrahin as krijimin në këtë formë të Komisionit për matjen e territorit të Kosovës.

Deputeti Rexhep Selimi nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e konsideron të pakuptimtë matjen e territorit të Kosovës.

“Nxjerrja tash e një teme se ne duhet ta matim territorin e atdheut tonë për një kryeministër është një pasqyrim që ai nuk e din as kë e ka atdhe. Kjo nënkupton që një kryeministër pa atdhe don ta mas territorin më shumë si pronë, sesa si shtet me sovranitetin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Selimi.

Matja e territorit të Kosovës, shton Selimi po bëhet në interes të një vendi fqinj dhe në të dëm të qytetarëve të Kosovës dhe të integritetit të vendit.

“Kjo është një përpjekje më shumë që ata të bëjnë diçka në të kundërtën e asaj që do të duhej të bënin. Ajo çka ata që do të duhej të bënin si ekzekutiv që janë do të duhej të ishin garantues të sovranitetit të Republikës së Kosovës, të integritetit territorial dhe mbrojtës të interesit të qytetarëve të Kosovës”, thekson Selimi.

Ndërkohë, edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të definohet se çka do të duhej të matet në territorin e Kosovës.

“Faktikisht territori i Kosovës nuk ka asgjë të keqe që të matet dhe mund të matet se nuk është shumë e madhe kjo çështje, por paraprakisht ishte dashur të përcaktohet se çfarë do të dëshirojnë të matet, brenda cila kornizave, duhet të caktohen pikat. Nëse do të matej prej Kullës edhe prej Çakorrit do të ishte në rregull, por nëse matet prej pikave tjera që i ka përcaktuar Komisioni shtetëror për Demarkacionin, nuk del ndonjë situatë tjetër, vetëm ajo që e ka bërë Komisioni”, thekson Bulliqi.

Bulliqi tregon se para themelimit, Komisioni për matjen e territorit të Kosovës nuk ka pasur ndonjë konsultim nga Qeveria e Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Kundërshtimet e deritashme të opozitës dhe disa deputetëve të partneritetit të koalicionit, kanë lënë Kosovën pa e ratifikuar Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, gjë që është kusht për marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Partitë opozitare kanë kundërshtuar formën e tanishme të marrëveshjes dhe ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës, me pretendimin se Kosova me këtë marrëveshje humb rreth 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj.

Të ngjashme