Komisoni për Medie vazhdon shqyrtimin e draftligjit për RTK-në

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 14:47 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në rend dite kanë qenë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe shqyrtimi i propozimeve për hartimin e draftligjit për transmetuesin publik të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Shqipe Pantina nga Grupi i Deputetëve të Pavarur kërkoi që në rendin e ditës të futet edhe Ligji për Prishtinën por kjo kërkesë e saj nuk u miratua.

“Pse nuk e kemi sot Ligjin për Prishtinën në rendin e ditës sepse në mbledhjen e kaluar e kemi shqyrtuar dhe ka mbetur vetëm një pikë. Propozimi im është që të futet në rend të ditës sot dhe të kryjmë edhe Ligjin për Prishtinën sepse nuk po shoh arsye, Ligji edhe ashtu është vonuar shumë”.

Ndërsa kryetari i komisionit, Nait Hasani, tha se sa i përket këtij ligji janë duke punuar për hartimin e pikës se si do të duket policia në Prishtinë.

“Kemi kërkuar me një shkresë shtesë nga Kryesia e Kuvendit edhe për një muaj për Ligjin për Prishtinën”, ka thënë Hasani.

Komisioni i ka përcjellë Kuvendit Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kryetari Hasani tha se Qeveria e ka kthyer këtë projekligj me disa kërkesa.

“Qeveria e ka kthyer këtë projektligj të ne dhe ka kërkuar njëfar forme me pas një Ligj paketë, me ligjin për pagat, ligjin për shërbyes civilë etj. Ne e përcjellim për seancë dhe presim edhe ato të tjerat që i bjen ministria e Administratës, që i plotësojmë një pas një”, ka thënë Hasani.

Sa i përket shqyrtimit të propozimeve për hartimin e draftligjit për transmetuesin publik të Kosovës, Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate tha se deri më tash raportet e auditimit janë bërë nga RTK-ja e jo nga auditori.

“Me caktu një kompani që e paguan RTK-ja dhe e bën auditimin. Mendoj që kemi bërë një punë fenomenale si komision dhe kjo ka me qenë arsyeja kryesore që deputetët unanimisht kanë me i aprovu raportet, për shkak se do ta kemi një raport nga auditori. Deri më tash ka qenë raport jo nga auditori por nga RTK-ja”, ka thënë Zeka.

Shqipe Pantina nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka thënë se problem në RTK nuk është vetëm menaxhimi i parasë por në tërsi menaxhimi i funksionimit të televizionit.

“Ne me RTK-në problemet më të mëdha nuk i kemi vetëm mënyrën qysh i menaxhon paratë por në tërsi mënyrën qysh e ka menxhuar komplet funksionimin e televizionit. Ajo prapë ka me mbetë përgjegjësi e Kuvendit me vlerësu”.

Xhevahire Izmaku nga PDK, ka thënë se deputetët duhet të merren vetëm me bordin e jo me cilësinë në RTK.

“Nuk ishte praktikë askund në Evropë që raporti i transmetuesve të del në Kuvend, del si ndërhyrje. Ne po bëjmë ndërhyrje në program, cilësi. Nëse e vendosim auditorin unë nuk jom për me fol për cilësinë e programit, ne me pas punë vetëm me bord”, ka thënë Izmaku.

Gjatë diskutimit për RTK-në deputetja Pantina është nervozuar sa i përket kompetencave të bordit.

Të ngjashme