Komisioni rekomandon shqyrtimin e demarkacionit në Kuvend

Prishtinë | 21 Shk 2018 | 14:49 | Nga Besjana Bajrami

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka shqyrtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Me shumicë votash ky komision ka rekomanduar që Projektligji për demarkacionin me Malin e Zi të shqyrtohet në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë mbledhje të komisionit në lidhje me këtë rekomandim dy anëtarë ishin kundër, një kishte abstenim.

Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe se ata do të votojnë kundër.

“Jemi duke e vazhdu iluzionin dhe hedhjen e hirit në sy sa i përket kësaj marrëveshje. Ka qenë një dinamikë politike këto dy vitetet e fundit njëra anë që kanë thënë që Kosova humb territor. Po dëshmohet që Kosova ka humb territor por po gënjehet publiku. Në Projektligj shkruhet që Kosova nuk humb territor ndërkaq komisioni ka thënë që Kosova humb, kjo është tërsisht e pakuptushme”, tha Ymeri.

“Po përdorët një gjuhë që nuk është e kuptushme, dhe marrëveshja që po nënshkruhet nga dy presidentët nuk e ka kuptimin e njëjtë. Demarkimi është korrektim por nuk është korrektim aq i madh. Jo vetëm që na do të votojmë kundër por kjo marrëveshje e ngërthen mashtrimin nuk do të duhej fare t’i paraqitej Kuvendit”.

Sipas deputetit tjetër, Dukagjin Goranit, qeveria po mundohet që ta fshehë dëmin e kësaj marrëveshje. Sipas tij kjo marrëveshje vetëm sa e ka rënduar situatën.

“Edhe pse deklarata e përbashkët mes presidentëve mundet me u interpretu si përpjekje, kjo përpjekje po mundohe të mbulohet si improvizim. Kjo marrëveshje është e dëmshme. Ka shumë marrëveshje të dëmshme që njerzit sot jetojnë me to. Ajo që mua më pengon është përpjekja e pushtetit për të fshehur dëmin e kësaj marrëveshje. Mos pranimi i dëmit duke u futur në improvizime çfare është edhe deklarata e përbashkët veç e rëndon situatën”, tha Gorani.

Elmi Reçica nga PDK-ja, tha se demarkacioni duhet të kalojë sepse është kushti kryesor për të lëviur pa viza.

“Unë mendoj se esencialisht vija kufitare e Kosovës është e veçant pastaj Mali i Zi e ka dëshmuar që është mik i Kosovës. Marrëveshja e 16 shkurtit ka pasur jehonë pozitive për qytetarët e Kosovës, ata mendojnë qe do të kaloj dhe do të plotësohet kushti më qenësor për liberalizimin e vizave. E dimë që është një betejë shkencore gjithashtu edhe politike. Ka qenë dhe ka mbet kauzë mirëpo ne jemi përfaqësues të qytetarëve dhe në kuadër të kësaj mendoj që duhet të kaloj”, tha Reçica.

Kurse Time Kadrijaj, tha që deklarata e dy presidentëve dhe raporti i komisionit të Bulliqit e përforcojnë bindjen e Aleancës për ta votuar demarkacionin.

“Mua më vjen mirë qe kemi mbrri në këtë pikë. Ne po votojmë raportin e komisionit të Bulliqit dhe gjithashtu edhe deklaraten e dy presidentëve. Nëse kjo marrëveshje kish ardhë pa këto dy dokumente, Alenaca ka qenë dhe do të kish vazhdu të jetë kundër”, tha Kadrijaj.

Sipas deputetit Sami Kurteshi, dokumentet përmbajnë kundërshti mes njëra tjetrës.

“Ne kemi para vetës një Projektligj qe përmban pika kundërshtuese ndaj njëra tjetres. Projektligji kërkon ratifikimin e marrëveshjes në anen tjetër ky Projekligj përmban një dokument që kundërshton këtë marrëveshje, njëra ose tjetra duhet të hiqet. Projektligji përmban kundërshti pasi dje një deklaratë u tha se nuk e obligon askënd”, tha Kurteshi.

Të ngjashme