Komuna e Drenasit sqaron për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit,  lidhur me deklarimet për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit, ndjen për obligim të sqaroj qytetarët dhe opinionin e gjerë, se veprimet e disa individëve që dëshirojnë të përfitojnë politikisht, përveç që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të njëjtat janë edhe dashakeqe dhe paraqesin rrezik për sigurinë në komunikacion.

Fillimisht, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit, dhe se asnjë person, në asnjë rrethanë, nuk mund të marr vendime të kësaj natyre, pa respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi, ku në rastin e lartcekur nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje.

Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë.

Të nderuar qytetarë të Drenasit, të gjithë e kemi të njohur faktin për numrin enorm të aksidenteve të shkaktuara në atë pjesë para ndërtimit të Autostradës M9, dhe vetëm mendimi për hapjen e tij pa asnjë analizë të ekspertëve, nënkupton rrezikim të gjithë atyre që kalojnë në atë pjesë, duke marrë parasysh se është autostrada më e frekuentuar në Kosovë.

Të nderuar qytetarë, veprimi i djeshëm i pa precedent dhe i papërgjegjshëm, ka shkaktuar edhe aksidente komunikacioni, për të cilat veprime organet e sigurisë do të duhej që të ndjekin procedurat e nevojshme, në mënyrë që shkaktarët e këtyre aksidenteve të vihen para përgjegjësisë.

Të nderuar qytetarë, ju ftojmë të mos bini pre e provokime të disa individëve, të cilët tentojnë të shkaktojnë vetëm konfuzitet për përfitime të ulëta, sepse edhe ata e kanë të njohur faktin që një gjë e tillë, nuk mund të bëhet pa ndjekje të procedurave.

Qytetarë të nderuar, ashtu siç jeni të informuar, kryetari Lladrovci ka qenë faktori kyç që rruga katër korsi të kaloj përmes Komoranit, duke ju mundësuar të gjithë banorëve dhe bizneseve të kenë qasje me të lehtë, rrjedhimisht zhvillim ekonomik të kësaj pjese.

Andaj, kryetari Lladrovci dhe Komuna e Drenasit është duke punuar vazhdimisht që çështja e ish-udhëkryqit të Komoranit të zgjidhet  me rastin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas – Komoran.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme