Konfirmohet ankesa e parë kundër procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Prokurorët Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani dhe Shqipdon Fazliu, kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, janë deklaruar lidhur me procesin e poentimit nga Paneli Vlerësues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili e kishte poentuar Blerim Isufajn, si kandidatin më të suksesshëm.

Të tre këta kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, kanë deklaruar se kanë pranuar poentimin përfundimtar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në lidhje me vlerësimet që komisioni vlerësues ka bërë për këta kandidatë gjatë intervistimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pjesë e komisionit rekrutues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit janë: kryesuesi Jetish Maloku dhe anëtarët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla- Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Në garë për këtë pozitë janë: Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së dhe aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe Lulzim Sylejmani e Shqipdon Fazliu, të dy prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Nga vlerësimi i komisionit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të renditur kandidatin Blerim Isufaj, si më të suksesshmin me 98 pikë, nuk janë pajtuar disa nga kundërkandidatët e tij në këtë garë.

Sipas rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar me 98 pikë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Prokurori Armend Hamiti njëri nga kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ka shumë gjëra që nuk janë në përputhje me atë që është transmetuar edhe në televizion rreth këtij procesi.

Ai ka thënë se po mendon ta bëjë kundërshtimin e tij për këtë poentim brenda afatit ligjor prej pesë ditësh.

“Po besoj që jo veç unë, por edhe kandidatët tjerë kanë me bo kundërshtim, kjo është e mira që këtë herë jena edhe të incizum edhe e ka pa secili çka kemi thanë, qysh e kemi prezantu veten”, është shprehur Hamiti për “Betimi për Drejtësi”.

Ai në një përgjigje në kërkesën për informata të dërguar nga “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se nuk është zgjedhur si kandidat përfundimtar për votim në KPK dhe se do të paraqes kundërshtim ndaj vlerësimit të këtij Komisioni.

“Nuk jam zgjedhur si kandidat përfundimtar për votim në KPK, do të paraqes kundërshtimin ndaj vlerësimit të këtij Komisioni”, është shprehur Hamiti në kërkesën për informata.

Në anën tjetër, kandidati tjetër Lulzim Sylejmani, duke mos dashur të japë shumë detaje, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se e ka pranuar poentimin final, por që është çështje e tij personale nëse do ta shfrytëzojë të drejtën e tij për ankesë apo jo.

“Dëgjo, unë jam duke e vlerësuar a do t’i përdor apo s’do t’i përdor, po të shohim është çështja ime personale, shumë ma tepër s’kam çka komentoj”, ka thënë Sylejmani.

Ndërsa, kandidati tjetër, prokurori Shqipdon Fazliu në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” është shprehur se ka pranuar poentimin përfundimtar, por nuk ka ndarë informata nëse do të paraqes kundërshtime ndaj vlerësimit të komisionit vlerësues.

“Në këtë moment mund të ndaj me ju vetëm informatën se kam pranuar poentimin përfundimtar”, është përgjigjur ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kandidati Kujtim Munishi, nëse i njëjti ka pranuar poentimin dhe se a ka bërë apo do të bëjnë kundërshtime sa i përket vlerësimit të komisionit, por i njëjti ka qenë i paqasshëm përkundër se është kontaktuar disa herë dhe i është dërguar kërkesë për informata.

Lidhur me kundërshtimet e kandidatëve do të vendosin Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve.

Të ngjashme