Konjufca dërgon kërkesë për zëvendësimin e 12 deputetëve që humbën mandatet, KQZ mblidhet nesër

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Gjithsej 12 deputetë që morën poste ekzekutive në Qeverinë Kurti 2 kanë humbur mandatet e tyre në Kuvend. Të njëjtit pritet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës për t’u ulur në karriget e legjislativit. Prej tyre, nëntë janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tre nga komunitet jo shumicë. Ndërkohë, pasditen e sotme, ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca ka dorëzuar kërkesën në KQZ për zëvendësimin e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për Ekonomia Online se nesër pritet të mblidhen për të bërë rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësim në Kuvend.

“KQZ ka pranuar kërkesën nga ana e ushtruesit të detyrës së presidentit së Kosovës për të bërë rekomandimin e kandidatëve të radhës për të zëvendësuar deputetët e deritanishëm, që kanë marrë funksione në ekzekutivin e vendit. Besojmë që gjatë ditës së nesërme KQZ do të mblidhet për të bërë rekomandimet përkatëse për secilin prej këtyre kandidatë”, tha ai.

Deputetët që kanë humbur mandatet si pasojë e marrjes së detyrave ekzekutive janë: Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Hekuran Murati, Faton Peci, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hajrulla Çeku, Rozeta Hajdari, Xhelal Sveçla, Fikrim Damka, Elbert Krasnqi dhe Emilja Rexhepi.

Ndërsa të njëjtit pritet të zëvendësohet nga Lëvizja Vetëvendosje janë: Shqipe Isufi, Enver Haliti, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Yllza Hoti, Jahja Kokaj, Hydajet Hyseni. Ndërsa nga Lista Vjosa është Gresa Bytyqi, nga komunitetet jo shumicë, Enis Kervan nga Partia Turke, Fridon Lala nga partia egjiptiane dhe Samra Ilijazi nga ajo boshnjake.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme