Konjufca: Do ta dërgojmë presidentin në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 21:18 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi do ta marrë përgjigjen nga Lëvizja Vetëvendosje për propozimin e mandatarit për kryeministër, pas tejkalimit të pandemisë.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë kërkesë të presidentit pasi sipas tij, Thaçi i ka tejkaluar kompetencat e tij.

“Letra e presidentit i ka disa probleme. Problemi i parë ka të bëjë me qasjen që e ka. Presidenti lidhur me situatën e krijuar politike, referencat që ai i ka vendosur në letrën e tij e shpërfaqin projeksionin e presidentit për situatën politike. Ai i qaset situatës politike sikur të ishte situatë parazgjedhore ose zgjedhore. Jo sikur një Qeveri e cila është zgjedhur dhe ka rënë përmes mocionit të mosbesimit. Presidenti e koncepton veten si një person politik i cili mendon që e ka kapacitetin kushtetues dhe juridik për të krijuar qeveri të reja në Kosovë.Unë jam i sigurt që kjo kompetencë presidentit nuk i takon, presidenti nuk e ka këtë kapacitet kushtetues dhe juridik që t’i mbledhë forcat politike dhe prej atij takimi të shpallë zgjedhje të reja apo që Kosova ka nevojë për Qeveri të re, me këto qëndrime presidenti ka tejkaluar mandatin e tij si president”, deklaroi ai.

Konjufca në Klan Kosova, shtoi se vendi mund të shkojë në zgjedhje pas tejkalimit të situatës së pandemisë.

“Në këtë situatë krejt çka na duhet është bashkimi i forcave të të gjitha partive politike që të koordinojmë të gjitha përpjekjet për ta luftuar virusin korona dhe pas kësaj vendi të shkoj në zgjedhje. Gjykatës Kushtetuese do t’i drejtohemi sepse presidenti nuk ka kompetenca të bëhet bashkë me LDK-në dhe të bëjë qeveri me PAN-in, presidenti nuk ka kësi kompetenca”, tha Konjufca.

Të ngjashme