Konjufca: Prokurori më krahasoi me një bandit

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 19:54 | Nga

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca i cili ndodhet në arrest shtëpiak, ka folur rreth asaj se çfarë ndodhi në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit. Ai në një intervistë ka shpjeguar edhe për hedhjen e gazit lotsjellës, shkruan Dritare.net

“Prokurori insistonte për paraburgim. Unë argumentova, duke i hedhur poshtë të gjitha pikat e prokurorisë, se duhej të mbrohesha në liri. Akuzat e prokurorisë ishin absurde. Ata më kategorizuan sikur një bandit që përdor armë pa leje dhe e rrezikon jetën e njërzve. Njëjtë sikur që trajtohen gangsterët e rrugës të cilët gjuhen me armë për t’i qëruar hesapet e tyre të krimit të organizuar. Unë e refuzova një trajtim të tillë, dukë ia shpjeguar prokurorit e gjyqtarit se veprimet e mia duhet të vendosen në një kontekst ekskluzivisht politik, dhe se heqja e këtij dimensioni është kriminalizim i qëllimshëm i veprimeve të mia politike. Përveç kësaj, arsyeja kryesore që mbizotëronte te prokuroria ishte masa e paraburgimit, për shkak të frikës se unë isha i paarritshëm për gjykatën gjatë fazave të mëvonshme të procesit”, ka thënë ai.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ? Pse e hodhët sërish gazin lotsjellës?

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë u vendos për ta renditur si pikë të seancës së ardhshme të Kuvendit Marrëveshjen e Demarkacionit të Vijës Kufitare mes Kosovës e Malit të Zi. Unë e mora fjalën dhe thashë që kjo nuk duhej të ndodhte. Dhe i shpjegova arsyet. Pasi i thashë të gjitha këto, në mbledhjen e kryesisë, dhe kur e kuptova që asnjëra nga këto që thashë, nuk do të merrej parasysh, e hodha një bombolë gazi lotsjellës, si masë përtej fjalëve për ta penguar një proces të tillë.

Zyrtarë të policisë u panë brenda Kuvendit të Kosovës derisa iu arrestonin. Çfarë ndodhi, a lejohet arrestimi i deputetëve në Kuvend?

Kushtetuta e Republikës specifikon se deputeti gëzon imunitet nga arrestimi dhe përndjekja për aktet e kryera brenda fushëveprimtarisë së tij si deputet. Por, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, thekson se, pavarësisht kësaj, po qe se deputeti kapet (in flagranti) duke kryer një “vepër të rëndë penale”, e cila është e dënueshme me më shumë se 5 vite burg, atëherë ai mund të arrestohet dhe paraburgoset nga autoritetet kompetente pa votimin e shumicës së deputetëve për heqjen e imunitetit të tij. Kjo do të thotë se nën trysninë politike të Qeverisë drejtësia e kapur dhe policia e manipuluar janë shtrënguar që veprimet tona t’i kualifikojnë si “vepra të rënda penale” për të cilat nuk ka nevojë për vendim të Kuvendit, por veprim të menjëhershëm të policisë. Kjo është arsyeja pse 20 minuta pasi e kam kryer veprimin, policia ka qenë te zyra ime në Kuvend, duke më pritur që të më arrestonte.

Ju jeni shefi i grupit parlamentar i opozitës, deputet i Kuvendit të Kosovës, me çfarë arsyetimi ligjor Gjyqtari iu dha 30 ditë arrest shtëpiak?

Prokurori insistonte për paraburgim. Unë argumentova, duke i hedhur poshtë të gjitha pikat e prokurorisë, se duhej të mbrohesha në liri. Akuzat e prokurorisë ishin absurde. Ata më kategorizuan sikur një bandit që përdor armë pa leje dhe e rrezikon jetën e njërzve. Njëjtë sikur që trajtohen gangsterët e rrugës të cilët gjuhen me armë për t’i qëruar hesapet e tyre të krimit të organizuar. Unë e refuzova një trajtim të tillë, dukë ia shpjeguar prokurorit e gjyqtarit se veprimet e mia duhet të vendosen në një kontekst ekskluzivisht politik, dhe se heqja e këtij dimensioni është kriminalizim i qëllimshëm i veprimeve të mia politike. Përveç kësaj, arsyeja kryesore që mbizotëronte te prokuroria ishte masa e paraburgimit, për shkak të frikës se unë isha i paarritshëm për gjykatën gjatë fazave të mëvonshme të procesit. Unë shpjegova se të gjitha veprimet e mia janë publike, se asnjëherë nuk kam bërë veprime të fshehura, se gjithçka bëj, ka lidhje me bindjet e mia, dhe se çdo gjë e bëj me vetëdije të plotë për arsye politike dhe jo personale. Akuzës se kisha shkaktuar rrezik të përgjithshëm iu përgjigja me argumentin se vetë pala të cilën prokuroria mëtonte ta mbronte, pas jo më shumë se 30 minutash prej kur e bëra veprimin, ma dërguan ftesën zyrtare për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme! Si mund të kualifikohej si shkaktim i një rreziku të përgjithshëm një situatë në të cilën vetë ata që prokuroria pretendonte që po i mbronte me kaq zell, nuk e kishin konsideruar veprimin tim si kaq të rrezikshëm? Është e qartë, pra, që kemi të bëjmë me nje persekutim me prapavijë politike. Në fund gjyqtari vendosi që të ma jepte masën e arrestit shtëpiak. Një lloj burgu që duhet ta bësh mbyllur në shtëpi.

Para 5 muajve ju u mbajtët për 30 ditë në paraburgim, tani sërish? Çfarë do të thotë për një deputet opozitar kjo situatë?

Prej shtatorit të vitit të kaluar kur nisi rezistenca aktive e opozitës së bashkuar në Kuvend kundër dy marrëveshjeve të Qeverisë me Serbinë dhe me Malin e Zi, shumë aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndër të cilët edhe unë, kanë përjetuar masa të rënda të përndjekjes dhe ndëshkimit. Vetëm për këtë çështje, nëse mblidhet masa e akumuluar e ndëshkimit, aktivistët opozitarë janë mbajtur mbi 6 vite në paraburgim. Unë i kam përjetuar të tri masat e shqiptuara – paraburgimin (në burgun e Lipjanit), arrestin shtëpiak, por edhe paraqitjen e obliguar në polici. Këto janë pengesa të qëllimshme që qeveria i aplikon përmes manipulimit të institucioneve të sigurisë e drejtësisë, për ta parandaluar organizimin opozitar dhe për ta luftuar rezistencën e VETËVENDOSJE!-s. Përkundër kësaj, jam plotësisht i bindur që me veprimet tona si deputetë në po e mbrojmë Kushtetutën. Kushtetuta e republikës thotë që Kosova është shtet sovran dhe se ky sovranitet ushtrohet përmes “të zgjedhurve të popullit”. Deputeti e ka për obligim dhe detyrë ta mbroje republikën. Ne po e bëjmë pikërisht këtë.

Vitin e fundit ju dhe kolegët tuaj keni protestuar pa ndërprerë lidhur me marrëveshjet e bëra me Serbinë dhe për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Këto muajt e verës situata është tensionuar sërish lidhur me atë që quhet Demarkacioni midis Kosovës me Malin e Zi. Çfarë ka për t’u kundërshtuar kjo marrëveshje e Qeverisë së Kosovës me autoritet e Malit të Zi?

Së pari – komisioni shtetëror që ishte i ngarkuar me detyrën për vendosjen e vijës së demarkuar kufitare qartazi ka tejkaluar mandatin e vet për këtë çështje. Ky komision nuk e ka shënjuar kufirin ekzistues, por na ka sjellë kufij të rinj. Këta kufij të ndryshuar janë pa kurrfarë dyshimi në disfavor të Kosovës. Prandaj mund të konstatohet që është shkelur sovraniteti i shtetit dhe integriteti territorial i republikës. Shteti ynë me këtë marrëveshje të dëmshme humb mbi 8 mijë hektarë tokë. Një veprim i tillë përbën aktin më të pashembullt të tradhtisë shtetërore. Është ekuivalenti i asaj që bëri qeveria shqiptare në marrëveshje me Greqinë për ujërat, marrëveshje kjo të cilën fatmirësisht Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e anuloi. Ekspertët më të spikatur që ka Kosova nga fusha e të drejtës ndërkombëtare, delimitimit dhe demarkimit të kufijve ndërkombëtarë, gjeodetë, gjeografë, topologë e hidrografë – kanë ofruar fakte të bollshme dhe shpjegime të mbështetura shkencërisht se puna e komisionit shtetëror të ngarkuar me këtë përgjegjësi, ishte përplot lëshime profesionale të papranueshme, që na kushtojnë shumë.

Pse i është vendosur kusht Kosovës ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi për liberalizimin e vizave? Cili është interesi i ndërkombëtarëve për këtë çështje?

Gjithçka çon drejt përfundimit se ky kusht i vendosur shumë më shumë mund të jetë fabrikuar nga vetë zyrtarët tanë qeveritarë sesa që është kusht universal për të gjitha shtetet që kanë kaluar nëpër këtë proces. Qeveria jonë, e sidomos nënshkruesi i demarkacionit, Hashim Thaçi, atëherë si ministër i jashtëm, e tash si president, ka qenë jashtëzakonisht i interesuar që punën e tij të papërgjegjshme ta shtyjë përpara dhe deri në fund, pikërisht duke e lidhur marrëveshjen e tij me liberalizimin e vizave. Pra, puna e dëmshme e qeverisë qëllimisht është lidhur më atë për të cilën aq shumë nevojë kanë qytetarët e vendit tonë – që është qarkullimi pa viza nëpër vendet e shengenit, ku ne kemi shumë bashkatdhetarë.

Një protestë tjetër nga shoqëria civile lidhur me përgjimet e dala së fundi të ish kryeministrit, kryetarit aktual të Kuvendit dhe një deputetit të PDK është duke ndodhur në Prishtinë. Edhe aty edhe në protestën tuaj të fundit para Kuvendit nuk duket që ka pjesëmarrje në numër të lartë. Pse janë shoqëritë tona kaq apatike?

Përgjimet e fundit nuk janë ilegale. Ato janë bërë më urdhër të gjykatës. Në to janë të përfshirë sidomos, Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, si dhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci. Ky trekëndësh është përgjegjësi kryesor i procesit shkatërrimtar që ne e quajmë ‘kapja e shtetit’. Pra ekziston një skemë e krimit të organizuar politik në Kosovë e cila institucionet i ka kthyer në pronë private, kurse resurset e shtetit në plaçkë. Dhe përmbajtja e përgjimeve tregon se kjo skemë është totalisht e centralizuar, se dy kokat kryesore të kësaj skeme të cilët vendosin gjithçka, janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kurse ekzekutues i projekteve të tyre, apo dora e zgjatur e tyre, është Adem Grabovci. Shoqëria civile po e vazhdon një protestë domethënëse dhe ngulmuese pothuajse të përçdoditshme kundër kësaj skeme. Por shoqëria në Kosovë nuk ka reaguar me shpërthim ndaj këtyre aferave. Kjo mbase për faktin që përgjimet sollën atë që njerëzit e dinë qëkur si dhe me të cilën situatë ata përballen në përditshmëri. Prandaj në vend të një shpërthimi të furishëm e kemi pezmin e heshtur e kokulur të shumicës. Gjithsesi – ky pezm i përmbajtur nuk ka më pak potencial se një shpërthim i pakontrolluar. Ky potencial nuk kam dyshim se do ta gjejë rrugën e organizimit shumë shpejt.

Si i komentoni incizimet/përgjimet e fundit të bëra publike? A ka filluar ndonjë hetim ndaj personazheve të kësaj afere? Cili është qëndrimi juaj lidhur me to?

Dy ditë pas publikimit të incizimeve, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, doli në media dhe ia bëri një apologji të pashpjegueshme protagonistëve në fjalë. Tha se nuk ka bazë për përndjekje penale për Thaçin, Veselin e Grabovcin. Në incizime zbulohet, ndër të tjera se Grabovci zgjedh prokurorë e gjykatës. Dhe kjo nuk është punë as kompetencë e tij. Është për keqardhje në ç’masë kryeprokuroria është e kapur nga politika te ne. Njeriu kryesor i drejtësisë me indiferencë dhe lehtësi të padurueshme flet për rastin e shefit të deputetëve të partisë më të madhe në Kosovë, i cili zgjedh figurat kryesore të drejtësisë në Kosovë. Grabovci zgjedh Sali Mekajn kryetar të Gjykatës së Apelit, kurse zt. Lumezi kjo as që i bën përshtypje. Nëse vetë kryeprokurori nuk është i kapur nga kjo skemë mafioze, atëherë në rastin më të mirë, ai mund të quhet një frikacak i padobishëm për shoqërinë tonë të etur për drejtësi.

Deri sa ju merreni me hartën dhe territorin e Kosovës në Shqipëri po merren me fasadën e Stadiumit “Qemal Stafa”. Pse kemi problemi kaq të ndryshme dhe nuk ndjejmë e bëjmë aksione të përbashkëta qoftë dhe në mendim?

Politika jonë zyrtare andej e këndej kufirit ka bërë farë pak që shqiptarët të jenë një komb i konsoliduar dhe unik politikisht. Ata sikur po mjaftohen me komoditetin e politikës së mëhallës, e cila iu garanton protagonizëm të bollshëm e ditor në dëm të kauzës sonë për forcimin e kombit përmes politikave të bashkërenduara për të mirën e përbashkët.

Kemi parë mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë ku flitet për marrëveshje të përbashkëta e për bashkëpunim. Çfarë po ndodh në fakt a ka bashkëpunim real midis Kosovës dhe Shqipërisë?

Çuditem sesi politika e Qeverisë shqiptare nuk mban për asnjë centimetër me lart ambicien për shqiptarët jashtë Shqipërisë sesa mesatarja e përgjithshme ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse brenda Shqipërisë, ta zëmë, luftohet dhe rrëzohet marrëveshja e dëmshme e ndarjes së ujërave me Greqinë, por nuk kundërshtohet marrëveshja me Malin e Zi. Qeveritë këtu e atje kanë një pakt xhentëlmen ta mbrojnë njëri-tjetrin në veprime. Por më mirë do të ishte që secili t’i betohemi interesit të përgjithshëm kombëtar sesa klikat t’i betohen njëra-tjetrës për favorizim të ndërsjellë klanor. Ne nuk kemi nevojë që qeveritë të mbështeten të njëra-tjetra por që ato të mbështeten tek kombi.

Së fundi në Paris u mbajt samiti i Ballkanit Perëndimor ku po promovohet bashkëpunimi midis Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë. Grupi juaj parlamentar nuk e votoi në Kuvend marrëveshjen për themelimin e Fondit të Ballkanit perëndimor, duke e quajtur si përpjekje për ndërtimin e “Jugosllavisë së re”, çfarë konsideroni si rrezik në këtë iniciativë të mbështetur edhe nga Qeveria e Shqipërisë edhe nga ajo e Kosovës?

Ekziston një rrymë politike e ideologjike jo pak e fuqishme në BE sipas të cilës paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të ndërtohet e qëndrueshme vetëm nga perspektiva e riintegrimit mes vete të vendeve tashmë të paintegruara në BE. Për shqiptarët ky nuk është një projekt që favorizon ambiciet tona kombëtare. Përkundrazi. Ngjallja e projekteve që synojnë ngritjen e ngrehinave të përbashkëta në të cilën shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me serbët, malazezët e maqedonët, e dobëson edhe me tutje kombin shqiptar si faktor rajonal. Shqiptarëve iu duhet integrimi më i madh mes vete para se të integrohemi më shumë me të tjerët.

Të gjitha këto shtete në raport me shqiptarët i bashkon politika e tyre e njëjtë e interesit për t’ua shuar shqiptarëve projektin e bashkimit. Maqedonia, ta zëmë, e koncepton fuqinë dhe unitetin e vetvetes në relacion dhe përpjestim me dobësinë e shqiptarëve. Serbia po ashtu. Edhe Mali i Zi nuk është shumë larg kësaj. Sepse secili prej këtyre shteteve e ka brenda një problem të pazgjidhur shqiptar. Nga dimensioni i realpolitikës këto shtete prodhojnë politika konsistente me interesin e tyre të brendshëm, por ne nuk kemi pse prodhojmë iluzione për vetveten. Nuk është e rastësishme që Maqedonia e Serbia para do kohe lidhën marrëveshje që kjo e fundit të dërgonte misione patrulluese policore nëpër vendbanimet shqiptare të Maqedonisë, po qe se kjo nuk kishte kapacitete për mirëmbajtjen e rendit. Hyrja në projekte të përbashkëta politike që fuqizojnë këtë aks antishqiptar, nuk është në interes të kombit tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme