Konjufca: Kosova përherë mirënjohëse ndaj kontributit të Italisë

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 17:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se Kosova do të jetë përherë mirënjohëse ndaj kontributit të Italisë për vendin tonë, raporton Ekonomia Online.

Këtë deklaratë Konjufca e tha para adresimit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi di Maio, para deputetëve të Kuvendit.

“Shprehim nderime për prezencën tuaj sit, sepse vendi jonë shpreh mirënjohje për të gjithë atë që ka bërë Italia për vendin tonë. Italia u bë vendi i parë ku u ngrit forca ajrore për shpëtimin e vendit tonë. Viti 2020 ishte një vit i vështirë ku mbi 3800 qytetarë të Kosovës e humbëm jetën me pandeminë por edhe në Itali. Duke shprehur ngushëllime për humbjen e më të dashurve të tyre dhe me këtë rast duke falënderuar shtetin italian për ndihmat e vazhdueshme për shtetin tonë sepse vetëm të bashkuar mund të bëjmë mirë dhe suksese në vend”, tha Konjufca.

Fjalimi i plotë i kryekuvendarit Glauk Konjufca:

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,

Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Më lejoni që t’i shpreh mirëseardhje në shtetin e Kosovës e në Kuvendin tonë të Republikës, Ministrit të Jashtëm dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Shkëlqesisë së Tij, Liugi Di Maios,

I dashuri Luigji mirë se na erdhe!

Të nderuar ambasadorë të vendeve mike të shtetit tonë,

I nderuari ambasador Orlando,

Ambasadore Haxhitasimi,

I nderuari gjeneral Federiçi.

Qytetarë të dashur,

Vendi ynë ka qenë dhe mbetet shumë mirënjohës për kontributin që Republika e Italisë e ka dhënë për Republikën e Kosovës.

Në 24 mars të vitit 1999 një qytezë e vogël italiane e me pak banorë, në Kosovë u bë më e njohur se Roma e Milano.

Kjo ishte Aviano prej ku filluan bombardimet e NATO-s kudër makinerisë ushtarake e policore të Serbisë.

Këto bombardime të domosdoshme u bënë nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës demokratike për t’i dhënë fund gjenocidit të shtetit serb mbi popullin e Kosovës.

Italia u bë vendi i parë prej të cilit u ngrit forca ajrore për shpëtimin e popullit tonë.

Lufta jonë e drejtë e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, Italia kishte rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e kyçe nëpër të cilat kaloi vendi ynë.

Pjesëmarrja e trupave italiane në kuadër të KFOR-it për ne ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Republika e Italisë gjatë këtyre 22 viteve ka pasur rol qendror në udhëheqjen e komandës së KFOR-it në Kosovë përmes 11 komandantëve të saj.

Në mesin e shteteve të para që e njohu pavarësinë e Republikës sonë ishte Republika e Italisë.

Dhe në çdo hap të pastajmë përgjatë procesit të konsolidimit të sovranitetit tonë, shteti italian qëndroi përkrah Kosovës.

Populli i Kosovës qëndron mirënjohës edhe për qëndrimin e Italisë në GjND më 2010, edhe për mbështetjen e vazhdueshme të perspektivës evropiane të Kosovës, edhe për mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Por viti 2020 që e lamë pas ishte një vit fort i vështirë.

Mbi 3800 qytetarë të Kosovës dhe 127 mijë italianë e humbën jetën në luftë me pandeminë e koronavirusit.

I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për të gjitha familjet që i humbën të dashurit e tyre.

Por po ashtu e falënderojmë Republikën e Italisë për të gjitha ndihmat që ia dha vendit tonë në ballafaqim me virusin COVID 19.

Vetëm të bashkuar e me një qëllim të përbashkët mund ta mposhtim çdo sfidë që i cenon edhe vendet tona, por edhe globin në përgjithësi.

Marrëdhëniet tona me Republikën e Italisë janë miqësore e të ngushta.

Por ne zotohemi që bashkëpunimin do ta thellojmë edhe më tej. E vizita e ministrit Di Maio përbën moment qenësor në këtë drejtim.

Ju faleminderit për vëmendje! ​

Lexo më shumë:

Të ngjashme