Konjufca në 20-vjetorin e Kuvendit: Ka marrë vendime jetike për Kosovën dhe popullin e saj

Prishtinë | 11 Dhj 2021 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkruar për 20-vjetorin e themelimt të Kuvendit, duke numëruar vendimet jetike që buruan nga ligjëvënësit.

“Zanafilla e Kuvendit të Kosovës daton dekada më parë, duke evoluar gjatë etapave të ndryshme të historisë së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

“Gjatë këtyre dy dekadave institucioni ynë ligjvënës dhe përfaqësues ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike për Kosovën dhe popullin e saj”

“Më 17 shkurt 2008, Kuvendi jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës, duke e shpallur pavarësinë dhe miratuar simbolet shtetërore”.

“Pas këtij akti, Kuvendi pati një veprimtari të ngjeshur dhe intensive për t’i realizuar objektivat e tij të shumta. Më 9 prill 2008 u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kurse në vijim korniza ligjore e shtetësisë së saj”.

Tutje, Kunjufca tha se legjitimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i hapi rrugë përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, dhe më vonë vendimeve të tjera që e forcuan sovranitetin shtetëror dhe sigurinë e Kosovës.

“Ndër vite Kuvendi ka sendërtuar një bashkëpunim të ngushtë me organizata partnere ndërkombëtare, të cilat i kanë dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të proceseve demokratike në vendin tonë”, shtoi tutje Konjufca.

“Në këtë jubile të krijimit të tij Kuvendi shënon arritje të konsiderueshme, i përgjegjshëm para interesave të qytetarëve dhe duke ruajtur gjithmonë partneritetin me institucionet dhe me mekanizmat relevantë ndërkombëtarë”.

“Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!”, përfundoi Konjufca.

Të ngjashme