Konjufca nuk i arsyeton dorëheqjet nga VV-ja

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 18:14 | Nga Marigona Brahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për zhvillimet e fundit në Vetëvendosje, pas mbledhjes së Kryesisë, e cila zgjati rreth 4 orë e gjysmë.

“U diskutuan shumë çështje të rëndësishme në të cilat po kalon VV-ja, por edhe Kosova, siç është ajo për Gjykatën Speciale. I diskutuam edhe çështjet tona të brendshme”, deklaroi Konjufca.

“Mendoj se për të gjitha mospajtimet apo dallimet në diskutime që i kemi nuk janë të arsyeshme dorëheqjet nga VV-ja. Nuk mendoj se i bën mirë njeriu VV-së duke dhënë dorëheqje”.

“Fuqia dhe ndikimi politik i VV-së në skenën politike të Kosovës dhe në mbarë shqiptarinë që ka ardhur duke u rritur nuk ka ardhur vetëm si pasojë që ne i kemi konceptet e drejta, po edhe për arsye se kemi qenë bashkë gjithmonë dhe kjo është një pjesë e fuqisë sonë”.

“Në momentin që kemi të bëjmë me dorëheqje kjo nuk i bën mirë as Kosovës as Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Konjufca, për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Kollçaku: Nuk i kemi pranuar dorëheqjet e Ymerit e Sejdiut

Fatmire Kollçaku tha se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë bisedime me kryetarin Visar Ymeri, i cili ka paraqitur dorëheqjen nga të gjitha funksionet në parti dhe me Dardan Sejdiun, ish-nënkryetar, i cili po ashtu dha dorëheqje nga funksionet që kishte në këtë parti.

“Ne kemi marrë qëndrim që të bisedojmë. Nuk i kemi pranuar ato dorëheqje, duke vlerësuar lartë kontributin e secilit. Mendojmë që rruga më e mirë është që t’u kthehemi problemeve, ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Shumë më shumë kemi gjëra që na lidhin sesa që na ndajnë”, tha Kollçaku.

Të ngjashme