Konjufca pritet të jetë u.d i presidentit, Hasani: Ai nuk mund ta mandatojë Kurtin për kryeministër

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Glauk Konjufca, që pritet të emërohet në postin e kryekuvendarit të hënën, sipas kushtetutës së Kosovës, me automatizëm do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit. Konjufca në të njëjtë ditë pritet ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër të vendit.

Express mëson se në javën e ardhshme planifikohet të thirret edhe seanca për zgjedhjen e Presidentit. Për çështjen e mandatimit të një kryeministri nga ana e një U.D së presidentit, mendime të ndryshme kanë dy ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani e Gjyljeta Mushkolaj.

Seanca konstituive e së hënës pritet ta zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit dhe nënkryetarët e saj.

Glauk Konjufca, siç kanë raportuar mediet e tjera, pritet të rikthehet në postin e kryeparlamentarit të cilën e kishte mbajtur pak më shumë se një muaj vitin e kaluar.

Ai do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit për disa ditë, pasi pritet që gjatë javës së ardhshme të votohet presidenti i ri i vendit.

Konjufca pritet që ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës në të njëjtën ditë që konstituohet Kuvendi dhe trupat e saj.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ishte shprehur se partitë politike në vend fillimisht duhet të procedojnë me zgjedhjen e të parit të Republikës para kryeministrit, meqë, sipas tij, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund të mandatojë dikë për të krijuar Qeverinë e re.

Hasani, kishte deklaruarse pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhja e krerëve të tri institucioneve të shtetit duhet të fillojë nga Kuvendi i Kosovës, Presidenca dhe në fund Qeveria.

“Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues (Kuvendi i Kosovës), vazhdon me shefin e shtetit (Presidenti i Republikës), i cili pasohet nga ekzekutivi (Qeveria e Kosovës)”, kishte thënë Hasani

Në anën tjetër, ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Gjyljeta Mushkolaj, në një përgjigje për Gazetën Express kishte thënë se asnjë veprim nuk duhet të bëhet pa u konstituuar Kuvendi dhe pasi të konstituuohet Kuvendi, kryetari i ri që merr funksionin e U.d së presidentit e mandaton kryeministrin.

“Kuvendi i ri nuk mund të veprojë pa u konstituuar. Pra, zgjedhet kryetari, kryesia. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.D më pastaj zgjedhet qeveria. Zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet brenda afatit të paraparë me Kushtetutë. Pra asnjë veprim nuk mund të bëhet pa u konstituuar Kuvendi. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.d i Presidentit. U.D së presidentit mandaton Kryeministrin. Zgjedhja e Presidentit bëhet pastaj”, kishte thënë Mushkolaj.

Albin Kurti tash për tash ka 58 vota të sigurta të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, teksa pritet që edhe pjesa më e madhe e komuniteteve joshumicë të votojnë pro qeverisë së Albin Kurtit.

Votat pro Kurtit do të jenë edhe nga deputetët Elbert Krasniqi nga IRDK, Bahrim Sabani nga koalicioni VAKAT, Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat, Bekim Arifi nga Partia e Ashkalinjeve për Integrim dhe Emilija Rexhepi nga NDS.

Dy deputetët turq të Partia Demokratike Turke e Kosovës, Fikrim Damka dhe Fidan Jilta nuk kanë vendosur ende nëse do ta votojnë Kurtin të hënën, e paqartë mbetet edhe vota e deputetetëve nga Iniciativa Rome dhe e Adem Hoxhës së komunitetit goran.

As 10 deputetët e Listës Srpska nuk e kanë bërë të qartë nëse do ta votojnë Kurtin për shef të ekzekutivit.

Me matematikat e deritanishme, Albin Kurti i ka të sigurta 64 vota të hënën, të mjaftueshme për ta marrë drejtimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Kurse presidenti i ri i Kosovës pritet të votohet javën e ardhshme.

Pretendentja kryesore për pozitën e shefit të shtetit është Vjosa Osmani kandidate e koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme