Konjufca priti në takim Komisionin për Çështjet Ligjore: Pa Shqipërinë nuk do të vinte as pavarësia e Kosovës

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 10:14 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë, të prirë nga kryetarja Klotilda Bushka. Me këtë rast u diskutuan për shkëmbimin e përvojave parlamentare, intensifikimin e bashkëpunimit, strategjinë e përbashkët politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Kryetari Konjufca u shpreh i nderuar që pret në Kuvendin e Republikës së Kosovës deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. “Ne dëshirojmë që shtetet tona të veprojnë si një trup i vetëm, sepse interesat tona esenciale janë të përbashkëta”, tha ai.

Madje sipas Konjufcës, po të mos ishte Shqipëria, Kosova nuk do ta kishte as pavarësinë e saj.

“Çdo moment qysh nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, të jesh i Kosovës e i Shqipërisë ka qenë e njëjta gjë. Dhe kontributi na tregon që çdo hap që kemi bërë e kemi bërë së bashku. Po të mos ishte Shqipëria nuk do të vinte as  pavarësia e Kosovës. Prandaj jemi që të krijojmë sa më shumë institucione të përbashkëta”, ka thënë Konjufca në këtë takim.

Kryetari Konjufca theksoi se ka një hapësirë të konsiderueshme për ta thelluar në shumë fusha bashkëpunimin, bashkërendimin dhe bashkëveprimin, duke nënvizuar njëherësh domosdoshmërinë e takimeve të rregullta të komisioneve parlamentare në mënyrë që, siç tha, të hartojnë projekte të përbashkëta në interes të qytetarëve dhe shteteve tona.

Klotilda Bushka, kryetare e këtij komisioni, premtoi se Kosova, ashtu si deri më tani, do ta ketë mbështetjen e deputetëve dhe shtetit shqiptar në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtar. Ajo po ashtu e njoftoi kryetarin Konjufca për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja komisioneve parlamentare.

Të ngjashme