Konjufca priti në takim ministrin e Jashtëm kroat, fiton mbështetje në rrugën euroatlkantike

Prishtinë | 06 Maj 2021 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike, liberalizimin e vizave dhe stabilitetin rajonal. 

Kryediplomati Radman, pasi e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën dhe konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nënvizoi se Kroacia dhe Kosova janë dy vende miqësore dhe shprehu qëndrimin e shtetit kroat për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën e saj euroatlantike.


Nga ana e tij, kryekuvendari Konjufca ka falënderuar kryediplomatin Radman për përkrahjen që shteti kroat i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke vënë pah se Kroacia fqinje është një shtet mik dhe se vendi ynë është i përkushtuar të avancojë  marrëdhëniet dypalëshe. 

I pari i Kuvendit, duke vlerësuar lart kontributin e Kroacisë, u shpreh se orientim afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata tjera ndërkombëtare. 

Në takim, veç tjerash, u bisedua edhe për  pandeminë, hapat për sigurimin e vaksinave dhe domosdoshmërinë e imunizimit të qytetarëve tanë, me ç’rast kryediplomati kroat bëri të ditur se Kroacia ka siguruar 10 mijë vaksina anti-Covid për Kosovën.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme