Konjufca takohet me Ilir Metën

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Pas takimit me homologun e tij shqiptar, Gramoz Ruçi, Konjufca është pritur në takim nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

kryekuvendari Konjufca dhe presidenti Meta diskutuan për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë sendërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa u dakorduan që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave ekonomike dhe nevojën imediate të partneritetit strategjik, si dhe për nismat rajonale dhe integrimet euro-atlantike.

Konjufca ritheksoi qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.

Ai po ashtu falënderoi presidentin Meta për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë e vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca.

Presidenti Meta, nga ana e tij, tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.

Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat aktuale dhe ato që i presin në të ardhmen të dyja vendet, shtrojnë nevojën e bashkërendimit dhe konsolidimit më të madh të politikave zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës

Konjufca në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri do të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme