Konjufca thotë se Thaçi e kidnapoi dialogun, paralajmëron protesta

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 13:51 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti e kidnapoi procesin e dialogut për të shtyrë edhe disa muaj Gjykatën Speciale, u tha sot në konferencën e  mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, theksoi se presidenti Hashim Thaci pa menduar dy herë u vetëshpall negociator me Serbinë, vetëm për të shtyrë Gjykatën Speciale.

“Të gjithë e kemi të qartë se, secilit politikanë, që do t’i ofrohej të udhëhiqte dialogun, do të mendonte disa herë dhe vetëm Hashim Thaci e bënë pa menduar dy herë, sepse e ka jetike për karrierën e tij personale”.

“Ai, përmes kësaj, mendon që, duke dialoguar me Serbinë, do ta shtyjë për disa muaj Gjykatën Speciale. Presidenti i Thaçi e kidnapoi procesin e dialogut. Në një moment të caktuar, ai doli pa e pyetur askënd dhe shpalli vetën kryesues të Dialogut. Kompetencat e presidentit nuk kanë ndryshuar që nga formimi i kushtetues. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet”, tha ai.

Ai i cilësoi shqetësuese deklaratat e presidentit për heqjen e vijave të kuqe në tavolinën e bisedimeve.

“E pamë që presidenti ia hoqi edhe vijat e kuqe Serbisë, ne mendojmë që tash Parlamenti duhet t’ia vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit. E para, t’i tregoj që ai nuk është njeri kredibil për udhëheqje dhe të formohet një kornizë qe s’mund të dilet dhe të bisedohet me Serbinë. Vijë e kuqe me Serbinë do të duhej të ishte funksionaliteti i Kosovës dhe mos coptimi i Kosovës dhe mos shkëmbimi territorial. Kur thuhet që s’ka vija të kuqe, i bie që gjithçka po bisedohet dhe kjo është shqetësuese ”, tha Konjufca.

Sipas tij,  Thaçi shumë shpejt mund të përballet me padi nga Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të kompetencave të presidentit. Ndërkaq, shtoi se është jo serioze deklarata e kryeministrit Haradinaj, kur thotë Dialogu dhe nuk ka kohë për dialog.

“Nëse vazhdohet me vija jo të kuqe, që sjellin marrëveshje të dëmshme me Serbinë, ne duhet ta ndalojmë dhe një nga mënyrat janë edhe protestat”, deklaroi Konjufca.

Të ngjashme