Konjufca thotë se Thaçi po ia kthen favoret Ergodanit

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 15:00 | Nga Donika Osmani

Në seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga 40 deputetë të Kuvendit, Glauk Konjufca foli në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dikush u bë shkaktar në Kosovë që shteti ynë të renditet në shtetet në botë që i shkelin konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Një shtet i tillë nuk i takon Evropës.

Aspekti i brendshëm kushtetues, u shkel kushtetuta sepse në aspektin e të drejtave të njeriut kushtetuta mbahet goxha e avancuar dhe i ka të përfshira edhe deklaratën universale të të drejtave të njeriut, u shkel kushtetuta sepse vdiq struktura institucionale. Edhe kryeministri që drejton qeverinë. Edhe Kadri Veseli edhe presidenti dolën e dënuan aktin, dhe njëri po gënjen”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, ai që nuk po thotë të vërtetën është presidenti Thaçi, raporton Ekonomia Online.

“Presidenti Thaçi dhe Erdogani kanë drejtuar një raport joligjor me njëri-tjetrin që mbështeten në konceptin e kryerjes së favoreve ndaj njëri-tjetrit. Erdogani e mbështeste me fushatën e Hashim Thaçit, ndërsa ky po i kryen favore, ia ktheu privatimin e aeroportit ndërkombëtar dhe KEDS-in, tash Thaçi po ia kthen këto favore përmes shfrytëzimit të fuqisë së tij jashtë ligjeve përmes rrjetit kriminal të pushtetit”.

Konjufca e komentoi edhe shkarkimin e ministrit Flamur Sefaj.

“Ramush haradinaj shkarkoi ministrin e MPB-së, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, por kjo hapi probleme të reja në shtetin tonë, nuk e zgjidhi problemin. Çka kish ndodhë me këtë shkarkim nëse këshilli i AKR-së kish thanë jo, ky është kryeministri, ku janë ligjet, rregullat e shkruaara. Kjo tregon se pushteti nuk eshtë i brendashkruar me Kushtetutë, por është një mozaik i pashallëqeve, varet prej partisë politike. Shiheni ku e kemi sjellë Kosovën, kjo tregon se gjithçka është arbitrate, dhe kurgjë nuk funksionon me kushtetutë dhe rregull”, tha Konjufca.

Të ngjashme