Konsiderohet hap pozitiv përfshirja amerikane në dialog

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për linjën e fluturimeve ajrore Kosovë-Serbi.

Trumpi në Twitter ka thënë se arritja e kësaj marrëveshjeje është fitore e administratës së tij, raporton KTV.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë pas një gjenerate, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Duke iu falënderuar ambasadorit Robert O’Brien dhe ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Trumpi.

Arritjen e kësaj marrëveshjeje Qeveria e Kosovës e konsideron njohje të shtetësisë nga Serbia.

Sipas ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Pal Lekaj, udhëtimet do të bëhen me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Me ndërmjetësimin amerikan për arritjen e kësaj marrëveshjeje, opinionisti Adriatik Kelmendi vlerëson se SHBA-ja dhe Gjermania kanë zëvendësuar BE-në në dialogun Kosovë-Serbi.

LDK-ja ka mirëpritur marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd. Ndërsa, Vetëvendosje, përmes një përgjigjeje me shkrim, thotë se nuk kanë qëndrim, pa i parë dokumentet e kësaj marrëveshjeje, se a janë në parimin e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet t’i lexojmë të gjitha dokumentet e dakorduara për fluturimet e paralajmëruara Prishtinë-Beograd dhe të shohim se a është gjithçka në përputhje me parimin e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Zyra për Media e LV-së.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për këtë marrëveshje.

Kosnetti ka shkruar se kjo marrëveshje është vetëm fillimi i një të ardhmeje të ndritur për Kosovën, Serbinë dhe për tërë rajonin.

“Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për ta arritur këtë marrëveshje, që është vetëm fillimi i një të ardhmeje të ndritur për shokët tanë në Kosovë dhe Serbi. Ky hap është një fitore për rajonin. Faleminderit ambasadorit Grenell për lidershipin e tij”, ka thënë Kosnetti.

Të hënën, në Ambasadën e Amerikës në Berlin, u nënshkrua marrëveshja fillestare për linjën e fluturimeve ajrore Prishtinë-Beograd.

Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të ngjashme