Konstituohet Komisioni Hetimor për pandeminë, kërkohet që Vitia e Zemaj të jenë dëshmitarë

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 12:04 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është bërë konstituimi i Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Deputetët kërkuan që ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ministri aktual Armend Zemaj të jenë dëshmitarë.

Kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, ka paraqitur planin e punës së komisionit, i cili është paraparë të bëhet me ekspertë të fushës.

Kusari-Lila njoftoi se komisioni do të kërkojë nga Kuvendi buxhetin e nevojshëm për hetimin e menaxhimit të pandemisë.

“Në hartimin e punës së komisionit, kam hartuar një draft plan ku do të votohet. Do të kërkojmë nga Kuvendi për buxhetin e nevojshëm. Do të angazhojmë ekspert. Mbledhjet do të jenë të hapura ose të mbyllura, varësisht nga diskutimi”.

“Kemi pranuar një letër nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në të cilën është përshkruar korrespodenca në mes aktorëve”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, shtoi se duhet të hetohet planifikimi dhe buxhetimi i pandemisë, përfshirë edhe keqpërdorimet gjatë pandemisë.

“Qendra e Studenteve që është shpallur karantinë, dhe karantinimi selektiv janë shkelje të Qeverisë. Të aspekti i menaxhimit e kemi pasur çështjen e testeve dhe furnizimi me barna e pajisje dhe keqpërdorimet si dhe testet e ardhura nga Serbia. Si është bërë planifikimi dhe buxhetimi i pandemisë. Mund të kemi një konsensus se si të veprojmë tutje”.

Shkumbin Demalija, nga AAK-ja kërkoi që Komisioni të punojë në vërtetësinë e deklaratave, po ashtu të ftohet edhe ministri i ri i Shëndetësisë për zgjerim të hetimeve, duke zbatuar ligjin.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu kërkoi të ndryshohet draft-plani i punës, pasi tha ai se hetimi është i fokusuar te bartësit institucional.

Ai kërkoi të hetohen të gjitha institucionet dhe të jetë i paanshëm.

“Si pasojë e keqmenaxhimit humbi jetën edhe i riu nga Gjilani. Të gjeturat dhe publikimet nga mediet për blerje shumëfishtë më të shtrenjta të barnave”.

“Sipas ligjit puna jonë do të jetë deri me 4 dhjetor, uroj deri me atëherë të jetë e përmbyllur pandemia dhe të punojmë në hetim parlamentar. Ky draft punë duhet të ndryshohet komplet, keni futur personelin shëndetësor, ata kanë kryer punën vet por hetimi është i orientuar nga bartësit institucional”.

“Udhëheqësit e karantinës, menaxheri i prokurimit, Ministria e Punëve të Brendshme, u.d. drejtori i SShSKUK-së, drejtori i IKShPK-së. Hetimi të jetë i paanshëm”, u shpreh Haxhiu.

“Nuk thash që kemi ligje, por thash që ligjet janë në fuqi. Sa i përket blerjes abuzive të barnave, ka pasur raportime. Sa i përket vlerësimeve ndërkombëtare mundemi ti nxjerrim statistikat. Për 6 vende jemi më keq”.

Këtyre deklaratave të deputetit të PSK-së i reagoi deputetja Kusari-Lila të cilat i quajti konstatime, siç tha ajo ka proces ligjor në kuadër të Prokurorisë.

Kurse sa i përket medieve tha se përveç sot, mbledhjet e tjera do të shqyrtohen për praninë e tyre.

Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni u shpreh pro draft-planit të punës për hetim, derisa tha se e sheh të paarsyeshëm për të hetuar ministrin e Shëndetësisë aktual.

“E përkrahi procesin, idea më përcjell edhe aktivitetet e ministrit aktual nuk e shoh të arsyeshëm, nuk kemi dëgjuar asnjëherë. Të pezullohet ky komision deri të kryhet pandemia komplet ose të bëhet një komision tjetër, jo ky”.

“Kish qenë mirë me e lanë jashtë politikën, rastin e Agonit më e lanë në fund, pasi dalin hetimet nga prokuroria. Lista duhet të jetë më e shkurtë”, tha ai.

Labinotë Dema nga VV-ja, kërkoi të diskutohen gjërat mirë e pastaj të dalin në medie. Kurse sa i përket ftesës për ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se beson në gatishmërinë e tij, raporton EO.

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate, potencoi se te plani i veprimit duhet të gjendet dokumentacioni që është dërguar në Prokurori e të jetë pjesë e provave.

Kurse sa i përket ftesës së ministrit Zemaj, Shala tha që të mbetet mundësi e hapur, por që duhet të ftohen për të parë nëse kanë gjetur shkelje.

Kuvendi i Kosovës, më 4 qershor ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë.

Të ngjashme