Konvertimi i votave të pavlefshme, vendimtar për qeverinë e re

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 06:58 | Nga Ekonomia Online

Sofije Avdyli, studente e vitit të dytë të gazetarisë, do ta hedhë të dielën në kuti fletëvotimin e zhvlerësuar. Megjithëse është hera e parë që 19-vjeçarja ka të drejtë të votojë, asnjë parti politike nuk ia ka mbushur mendjen që t’ia besojë përfaqësimin politik.

“Po, qysh ka ardhur puna, do të dalë që ta bëjë votën të pavlefshme derisa të vijë dikush që ia vlen”, thekson Avdyli. Ajo është një prej qytetarëve të shumtë të zhgënjyer me politikanët aktualë. Nuk u beson edhe atyre që asnjëherë nuk e kanë qeverisur vendin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, mbi 42 mijë vota janë shpallur të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mesatarja e votave të pavlefshme në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë 4.5 për qind, thuhet në raportin “Çdo votë duhet të vlejë” të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Kthyer në numër deputetësh, i bie se votuesit që “zhvlerësuan” votën në zgjedhjet e kaluara do të mund të zgjidhnin së paku katër deputetë nëse do të ndryshonin mendje sivjet. Në Kosovën e pavarur me demokraci të brishtë, asnjë qeveri nuk ia ka dalë ta çojë deri në fund mandatin. Qeveria e kaluar mezi ia ka dalë të sigurojë shumicën, madje me vetëm një votë më shumë në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme