Korab Sejdiu jep dorëheqje nga AKR

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 08:03 | Nga

Deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu, i pakënaqur me faktin se subjekti i tij i është bashkuar koalicionit PDK-AAK-NISMA për të qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme të vendit, ka dhënë dorëheqje nga partia për të vazhduar si deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, arsyeja kryesore për këtë vendim është qeveria e pakicës shqiptare, e varur nga Lista Serbe.

Postimi i plotë i Sejdiut:

Sot shkruaj për t’ju dhënë dy njoftime

1. Une e kuptoj se politika është arti i së mundurës, dhe se të qenurit në politikë kërkon nganjëherë edhe bërjen e kompromiseve të dhimbshme. Mirëpo, unë ndaj mendimin e atyre që kur bëhet fjalë për interesat e shtetit, nuk na lejohet të bërit kompromis. Unë në vazhdimësi kam qenë konsistent me qëndrimin që një qeveri me pakicë shqiptare dhe e kushtëzuar nga lista serbe është në kundërshtim me interesat e shtetit sepse mbetet peng i regjimit të Beogradit. Rrjedhimisht edhe kam potencuar se nuk mund ta mbështes një gjë të tillë. Për më tepër, kam bërë tentativa të sinqerta me shumicën shqiptare (LAA dhe VV) që të formojmë alternativën qeverisëse që ka legjitimitet nga populli. Jam tepër i zhgënjyer që interesat e ngushta partiake pamundësuan realizimin e këtij qëllimi, përkundër momentit jetik për të larguar të keqen nga ky vend.

Thënë atë, ju njoftoj sërish se do t’i qëndroj besnik fjalës së dhënë ndaj elektoratit tim, dhe në seancën konstituive do të votoj kundër në të dyja instancat, edhe zgjedhjen e Kryeparlamentarit por edhe të Qeverisë.

2. Unë mendoj se ne si përfaqësues të popullit, kemi pasë një mundësi të rrallë kësaj rradhe që t’i jepim Kosovës kthesën drejt të mirës. Fatkeqësisht, për arsye të pakuptimta për mua, ky qëllim nuk u realizua. Në anën tjetër, është më se e qartë se unë dhe Aleanca Kosova e Re (“AKR”) kemi mendime të ndara sa i përket asaj se çka mendojmë është në të mirë të vendit, dhe në këtë është evidente që qëndroj i vetëm në këtë subjekt. Unë nuk kam dëshirën e as vullnetin që të shkeli mbi nderin dhe fjalën time. Por njëkohësisht, nuk kam të drejtë morale që të votoj kundër një Qeverie ku pjesë përmbajtësore është Presidenti Pacolli dhe AKR, përderisa unë jam pjesë e AKR.

Për t’i evituar këto, ju njoftoj se sot kam deponuar tek Presidenti Pacolli dorëheqjen time nga AKR dhe nga të gjitha pozitat në strukturë të këtij subjekti, me efekt të menjëhershëm. Unë kam falenderuar Presidentin Pacolli për bashkëpunimin e deritashëm dhe vullnetin e tij të sinqertë që të jem edhe pjesë përbërëse e rrugëtimit të AKR-së në qeverinë e ardhshme. Lus që dorëheqja ime të merret thjeshtë si veprim moral që t’i qëndroj besnik fjalës sime në këtë moment vendimtar për vendin.
Veprimtarinë time politike tani për tani do ta vazhdoj si Deputet i pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kjo është e tëra që dëshiroj të theksoj në këtë kohë lidhur me këtë çështje. Ju falenderoj për mirëkuptim dhe përkrahjen e vazhdueshme” (sic.), ka shkruar Sejdiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme