Korrupsioni vazhdon të jetë problemi kryesor në Kosovë

Prishtinë | 12 Shk 2018 | 13:12 | Nga

Korrupsioni vazhdon të jetë ndër problemet kryesore të Kosovës, thonë në vazhdimësi zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se gjykatat, edhe pse gjatë vitit të kaluar kanë zgjidhur më shumë lëndë në sferën e korrupsionit, përsëri kanë mbetur qindra të tjera pa u trajtuar. Sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë, gjyqësori duhet që lëndët për korrupsion, t’i trajtojë me prioritet.

Jo vetëm demarkacioni, por edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë kusht që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave dhe të vazhdojë rrugën e saj në procesin e integrimeve evropiane. Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ajshe Qorraj, tha se edhe pse vitin e kaluar gjykatat kanë zgjidhur më shumë lëndë në sferën e korrupsionit, në fund të vitit kanë mbetur mbi 300 të tjera të pazgjidhura.

“Gjatë vitit 2017-të janë pranuar 223 lëndë dhe janë zgjidhur 254 lëndë, me 386 persona. Numri i lëndëve të pa zgjidhura në fund të vitit 2017 është 305 lëndë me 818 persona”, tha Aishe Qorraj.

Për Ehat Mifitaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që monitoron sistemin e drejtësisë, mos trajtimi me kohë i lëndëve dhe bartja e tyre nga viti në vit, tregon për mos efikasitetin në punë të gjykatave. Ai thotë se gjyqësori duhet të punojë më shumë, me qëllim që vendi të ecë përpara drejt integrimeve evropiane.

“Është kërkesë e Kushtetutës. Është kërkesë e Kodit të Procedurës Penale, që gjykatat çdo rast penal, përfshirë edhe ato të korrupsionit, t’i trajtojë brenda afateve kohore. Edhe gjyqësoriduhet të kryejë punën e vet, në mënyrë që t’i kryejë obligimet që ka në raport me përmbushjen e kritereve, qoftë për liberalizimin e vizave apo edhe për agjendën evropiane të Kosovës”, pohoi Miftaraj për Radio Kosovën.

Sipas Miftarajt, gjyqësorit i duhet të gjejë formën që lëndët për korrupsion, t’i trajtojë me prioritet.

“Fakti që në gjykata kemi një numër të madh të lëndëve të korrupsionit të cilat janë të vjetra me vite, dëshmon se gjyqësori ende është në kërkim të rrugës për të gjetur formën për t’i trajtuar këto lëndë me prioritet”, tha Miftaraj.

Ndryshe, mos luftimi i dukurisë së korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, janë dy kushtet e fundit të Bashkimit Evropian që Kosova duhet t’i plotësojë, që ta fitojë nga BE liberalizimin e vizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme