Kosnett kërkon të respektohet vendimi për pronën e Manastirit të Deçanit

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se mosbindja ndaj sundimit të ligjit, nga disa qeveri të ndryshme të Kosovës, vë në pikëpyetje angazhimin e Kosovës për drejtësi të barabartë.

Ai ka potencuar rëndësinë që liderët politikë të respektojnë institucionet dhe vendimet gjyqësore “madje edhe nëse nuk e çajnë kokën për ato vendime”.

“Ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të rasteve në të cilat institucionet e Kosovës kanë dështuar të veprojnë brenda ligjit dhe të zbatojnë vendimet e gjyqësorit”, ka thënë Kosnett në një shkrim të publikuar në faqen e ambasadës amerikane.

“Shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit. Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës”, shkruan Kosnett.

Sipas ambasadorit amerikan një ndër qëllimet drejt të cilit duhet të punojë populli i Kosovës, së bashku me popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është zbatimi i plotë i sundimit të ligjit.

“Siç dëshmuan veprimet kriminale të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit, demokracia është e brishtë. Por, institucionet tona qëndruan. Kur policia përzuri turmën dhe e siguroi ndërtesën, Kongresi vazhdoi diskutimet dhe çertifikoi zgjedhjen e presidentit të ri. Dy javë më pas, ai president i ri mori detyrën në përputhje me Kushtetutën tonë. Jam i bindur se Amerika do të dalë më e fortë se kurrë nga kjo periudhë kritike, por ende kemi shumë punë dhe shumë dhimbje para nesh. Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova ka ende shumë punë për ta përmbushur zotimin e saj”, ka thënë Kosnett.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme