Kosnett: Kosova ta ruajë miqësinë me SHBA-në, durimi ynë ka kufij

Prishtinë | 30 Mar 2019 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, në një intervistë për ‘Radio Kontakt Plus’, ka folur rreth presionit që Amerika ka bërë ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr taksën ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake, me qëllim të vazhdimit të dialogut.

Megjithatë një gjë e tillë edhe kur kanë kaluar pesë muaj që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë.

Kosnett ka thënë se durimi amerikan nuk do të zgjas përgjithmonë.

“Durimi ynë gjithmonë është i kufizuar. Një nga pikat që i kemi bërë të dy qeverive, në Prishtinë dhe Beograd, është që Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë të përkushtuara për të mbështetur procesin. Presidenti Trump, siç dihet i ka shkruar presidentit Thaçi dhe presidentit Vucic për të nënvizuar se Qeveria e SHBA është thellësisht e angazhuar në këtë proces. Nëse qeveritë nuk janë të gatshme për të ecur përpara në një afat të shkurt, dhe thonë “ mirë ne do të jemi gati për pak vite”, atëherë unë nuk mund të garantoj se Washingtoni do të jetë i angazhuar në të ardhmen sa është tani”, ka thënë Kosnett, transmeton Gazeta Express.

 Ambasadori amerikan ka folur edhe për dy versionet që qarkullojnë nëpër shtypin kosovar rreth mbështetjes amerikane për Kosovën.

Sipas tij, është një rrëfim i rrezikshëm dhe i pa saktë, nëse thuhet se ‘amerikanët na duan kaq shumë sa që niveli i mbështetjes nga ta do të vazhdojë përgjithmonë, dhe se ne nuk duhet të bëjmë asgjë për ta ruajtur këtë marrëdhënie’,.

Ai ka folur edhe për një version të tjetër të mënyrës se si po komentohen raportet Kosovë-Amerikë.

Sipas tij është normale që të ketë presione, dhe kjo nuk do të thotë që raportet janë prishur.

“Më lejoni ta shtoj këtë. Kam parë dy rrëfime në shtypin kosovar për raportet midis Kosovës dhe SHBA-së. Njëri tregim është që “Oh, raportet tona janë të tmerrshme, amerikanët po bëjnë presion mbi ne, si mund ta bëjnë një gjë të tillë?”. Mendoj se është krejtësisht e natyrshme që vendet e lidhura ngushtë, të mos pajtohen rreth politikës. Kjo është një gjë normale që miqtë duhet të bëjnë- kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet janë prishur. Ndërkohë rrëfimi tjetër vjen nga vetëkënaqësia. Ka njerëz që thonë “mirë amerikanët na duan kaq shumë sa mund të jemi të sigurt se i njëjti nivel i mbështetjes politike, ekonomike, partneriteti i sigurisë, do të vazhdojë përgjithmonë në të ardhmen, dhe ne në Kosovë nuk duhet të bëjmë asgjë për të mbajt atë marrëdhënie’. Kjo gjithashtu nuk është e vërtetë dhe sinqerisht është një version i një tregimi të rrezikshëm”, ka thënë Kosnett, shkruan Gazeta Express.

Ai thotë se secila ditë që kalon pa përmirësuar raportet dhe pa zgjidhur problemet e hapura me Serbinë, lë hapësirë që gjendja të përkeqësohet edhe më shumë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme