Kosnett pas takimit me Hoxhajn e Haradinajn: Interesat e qytetarëve të vendosen para atyre partiake

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ndaras ka takuar krerët e opozitës, kryetarin në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e brendshme politike.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kossnet ka inkurajuar të dy liderët që së bashku të punojnë si opozitë duke i vendosur nevojat e qytetarëve para interesave partiake.

“U takuam ndaras me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreun e PDK-së Enver Hoxhaj. Inkurajova ata të veprojnë në mënyrë konstruktive si opozitë, duke punuar së bashku me qeverinë për qëllime të përbashkëta dhe duke i vendosur nevojat e qytetarëve para atyre partiake”, shkroi ambasadori amerikan.

Hoxhaj ka thënë se Kosovës i duhet stabilitet dhe lidership.

“Mirëprita ambasadorin amerikan në Kosovë në zyrat e PDK-së për të diskutuar zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, me theks të veçantë në rezultatet e zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja. Kosovës i duhet stabilitet dhe lidership”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndërkaq, Haradinaj tha se ka informuar ambasadorin se Aleanca do të jetë zë i fuqishëm që do kërkojë llogaridhënie nga pushteti i ardhshëm.

‘Në sfidat në të cilat po kalon Kosova, integrimet euroatlantike, situata me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu, ka partneritet të pakontestueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, shkroi Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme