Kosova akrediton ambasadorin e saj në Çad

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 15:07 | Nga

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti i Republikës së Çadit, Idriss Deby Itno, duke u bërë si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, i Republikës së Kosovës në Republikën e Çadit, me rezidencë në Dakar, Senegal, transmeton Ekonomia Online.

Në këtë vizitë, Ambasadori Gashi është shoqëruar nga Drejtori për Çështje Politike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Lulzim Mjeku.

​Sipas një komunikate nga MPJ e Kosovës, delegacioni kosovar, gjatë qëndrimit në kryeqytetin Nxhamena, është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Mahamat Zeni Cherif dhe Drejtori i Protokollit të Shtetit, Ossodongarti Memdingangar.

Me këtë rast, Ambasadori Gashi i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale ministrit Mahamat Zeni Cherif dhe i përcolli mesazhet e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Të dy palët bashkëbiseduese prekën tema me interes të përbashkët për dy shtetet.

Në ceremonialin e dorëzimit të letrave kredenciale tek Presidenti, Ambasadori Gashi i përcolli mesazhet nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, për homologun e tij të Republikës së Çadit me dëshirat për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale.

“Në takim, presidenti Itno siguroi ambasadorin Gashi për mbështetje të pa rezervë të Republikës së Çadit në rrugën e Kosovës drejt realizimit të subjektivitetit të saj të plotë juridiko-ndërkombëtar. Pas ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale tek presidenti, delegacioni i Kosovës ka vendosur kurorë lulesh në shenjë nderimi për popullin dhe autoritetet e këtij vendi tek përmendorja e martirëve të popullit të Çadit”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit dorëzimit të kredencialeve, ambasadori Gashi pati një takim edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Nxhamena, Geeta Pasi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme