Kosova e Egjipti synojnë avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore

Prishtinë | 01 Mar 2017 | 16:00 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Akademia Diplomatike e Ministrisë Punëve të Jashtme të Kosovës ka organizuar një ligjëratë me temën: “Diplomacia publike: Marrëdhëniet Kosovë-Egjipt”. Në këtë ligjëratë kanë folur ish-ministri i Jashtëm i Egjiptit, Mohamed El Orabi, dhe Ahmed El Moslemany, ish-këshilltar i ish-presidentit të Egjiptit, Adly Mansour, të cilët po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori Beqir Ismaili, i ka falënderuar mysafirët nga Egjipti për vizitën në Kosovë, duke vlerësuar lartë rolin e Egjiptit ndaj Kosovës. Ambasadori Ismaili ka veçuar kontributin e Egjiptit gjatë kohës së luftës 1998-1999 me ndihma për popullin e Kosovës, si dhe për arritjen e 11 marrëveshjeve ndërshtetërore pas shpalljes së pavarësisë.

Në fjalimin e tij, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, aktualisht deputet i Parlamentit egjiptian, Mohamed El Orabi, ka folur për rolin e diplomacisë publike. Ai ka thënë se duhet arritur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në nivelin më të lartë. El Orabi ka vlerësuar se në Kosovë është bërë mjaft progres. “Kemi kuptuar se në këtë vend ka shumë tolerancë dhe kjo është çka na duhet në rendin e ri botërorë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Ahmed El-Moslemany, këshilltar i ish-presidentit të Egjiptit, Adly Mansou, ka thënë se qëllimi i vizitës së tyre në Kosovës është që të fuqizohen raportet në mes të dy shteteve. “Do të jem zëdhënës i juaji, kudo që te jem”, ka premtuar El Moslemany.

Të dy bashkë ligjëruesit kanë vlerësuar se duhet që bashkërisht të punohet për të ngritur marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat. Në ligjëratën e mbajtur në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, intelektualë, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe studentë.

Delegacioni egjiptian gjatë vizitës dyditore në Kosovë kanë pasur takime të shumta me përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës, shoqërinë civile, etj.

Të ngjashme