Kosova dhe BE-ja mbajtën takimin e dytë të nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 11:40 | Nga

Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cili hyri në fuqi në prill 2016. Gjatë takimit dyditor zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për fusha të ndryshme që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështjet e brendshme. Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve në të gjitha fushat e përfshira në Agjendën Evropiane të Reformave dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2018.

Lidhur me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, BE theksoi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të drejtave pronësore. Në këtë kuptim është theksuar zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kosovës i nevojitet një kuadër adekuat për personat me aftësi të kufizuara dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje.

U diskutua edhe për situatën e komuniteteve pakicë, përfshi edhe zbatimin e ligjit për gjuhët. Situata me të cilën ballafaqohen romët dhe ashkalinjtë dhe mungesa e progresit në përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve më të cenuara mbetet një shqetësim për BE-në. Të dy palët gjithashtu diskutuan nevojën për drejtësi tranzicionale, marrjen me të kaluarën dhe sqarimin e vendndodhjes së personave të zhdukur nga konflikti.

 

Autoritetet e Kosovës e kanë azhurnuar BE-në mbi funksionimin e gjyqësorit. Në këtë drejtim, u diskutua rritja e përdorimit të ndërmjetësimit. Të dy palët ranë dakord se krijimi i sistemit elektronik të menaxhimit të lëndëve do të jetë vendimtar për gjyqësorin.

 

Sa i përket anti-korrupsionit, u diskutuan disa zhvillime ligjvënëse që janë në proces e sipër. BE-ja përshëndeti miratimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ligjin mbi Prokurorinë e Shtetit. Të dy palët u pajtuan se zbatimi i plotë do të jetë qenësor. BE-ja u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë punën dhe të miratojnë Kodin e rishikuar Penal dhe Kodin e rishikuar të Procedurës Penale si dhe të gjitha ligjet që gjenden në Pakon Kundër Korrupsionit. BE-ja theksoi se zbatimi i komenteve të Komisionit të Venedikut për projektligjin për financimin e partive politike do të jetë kyç.

Në fushën e Punëve të Brendshme dhe në luftën kundër krimit të organizuar, u shkëmbyen pikëpamje për migrimin, azilin dhe riatdhesimin, reformën e policisë, luftën kundër narkotikëve dhe terrorizmit dhe parandalimin e radikalizmit. Të dy palët u pajtuan që zbatimi i plotë i të gjitha strategjive në këto fusha është qenësor. BE-ja përshëndeti përparimin në fushat e migrimit, azilit dhe luftës kundër terrorizmit. Palët diskutuan nevojën për të forcuar përpjekjet dhe kapacitetet për të luftuar krimin, veçanërisht krimin kibernetik, drogën dhe krimin e organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të konfiskimeve përfundimtare. Gjithashtu u diskutuan edhe aspektet lidhur me liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian theksoi se vlerësimi i historikut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon, gjithashtu në dritën e misionit të fundit të ekspertëve të Komisionit (3-4 maj).

 

Sfondi

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me reformat që lidhen me BE-në. Trupat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asociimit, të mbështetur nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të Acquis të BE-së. Takimet e trupave të MSA-së japin një kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Çdo takim i nën-komisionit mbikëqyrë dhe përcjellë zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces.
  • Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komisioneve, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, pylltarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
  • Dy fusha të tjera të mbuluara përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
  • Takimet e Komitetit të SA dhe nën-komiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse të përcaktuara bashkërisht e të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme