Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 07:34 | Nga Ekonomia Online

Në BE nuk e konsiderojnë këtë takim si “të parin”, pasi si rifillim të dialogut e konsiderojnë edhe një konferencë virtuale të zhvilluar të dielën . Në të, sipas BE-së, palët kishin rënë dakord për agjendën e dialogut, por nuk janë dhënë hollësi se cilat tema pritet të jenë në rend dite

Për herë të parë pas më shumë se 20 muajsh në Bruksel do të zhvillohet një raund i dialogut në nivelin më të lartë mes Kosovës dhe Serbisë me aktorë të rinj krahasuar me periudhën kur ishte ndërprerë me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog në kushte, pasi Kosova kishte vendosur tarifat prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetmi pjesëmarrës në takimin e së enjtes që ishte i pranishëm edhe më parë. Në BE tashmë ka nisur mandati i përfaqësuesit të ri të lartë të BE-së, Josep Borrel, BE-ja ka edhe përfaqësuesin e posaçëm për dialog, ish-ministrin e Jashtëm, Miroslav Lajçak. Edhe Kosovën do ta përfaqësojë Avdullah Hoti, kryeministër i ri i saj, që erdhi në atë post pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Ndërkaq aktori kryesor nga ana e Kosovës në gjithë procesin shumëvjeçar të dialogut, Hashim Thaçi, i cili edhe si kryeministër e edhe si president i shtetit mbajti atë rol, në të njëjtën kohë kur Hoti do të takohet me Vuçiqin, do të jetë duke vazhduar për të katërtën ditë me radhë intervistimin nga Prokuroria Speciale, e cila e ka bërë publike se ka propozuar aktakuzën ndaj tij për krime lufte.

Përmendja publike e emrit të Thaçit si pjesë e aktakuzës së propozuar e ka përjashtuar si duket atë nga procesi që vetë e udhëhoqi për vite. Tash Kosovën në këtë dialog po e përfaqëson kryeministri Avdullah Hoti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme