Kosova dhe Suedia diskutojnë zhvillimet kyçe në reforma dhe “Strategjinë e Suedisë të bashkëpunimit në reforma me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2021-2027”

Prishtinë | 19 Maj 2022 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeministrit dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, organizuan takimin vjetor mes Kosovës dhe Suedisë në kuadër të bashkëpunimit suedez në reforma me Kosovën, si pjesë e marrëveshjes gjatë viteve 2014-2020.

Në hapjen e takimit, Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj dialogut të hapur me partnerë zhvillimorë, në mënyrë që të bashkojmë forcat së bashku dhe të fokusojmë mbështetjen e jashtme ndaj agjendës për zhvillim të Kosovës, në linjë me qëllimet e Kosovës, duke i adresuar në projekte të prekshme, me impakt të rëndësishëm. Gjithashtu, potencoi progresin e bërë së fundmi për sa i përket rigjenerimit socio-ekonomik të vendit dhe reformat e nisura nga Qeveria.

Ambasadorja e Suedisë në Prishtinë, Karin Hernmack tha se “Strategjia për bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për vitet 2021-2027”, qartësisht shfaq se Suedia ka bërë një përkushtim afatgjatë për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor. Strategjia e re do të rrisë përpjekjet për të punuar me të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit, barazinë gjinore, zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, ambientin dhe ndryshimet klimatike. Mbështetja e Suedisë do të fokusohet në një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe paqësore si dhe marrëdhënie të gjera dhe afatgjatë mes Suedisë dhe vendeve të rajonit. Synimi kryesor është të ndihmojmë Kosovën në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ambasadorja Hernmarck, rishikuan progresin në implementimin e ndihmës së Suedisë për vitet 2014-2020. Delegacionet konfirmuan se asistimi është duke u implementuar siç është planifikuar në programet dhe projektet aktuale. Palët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Të ngjashme