Kosova dhe Zvicra nënshkruajnë marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 10:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës dhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Kjo marrëveshje u vlerësua lartë nga të dyja palët derisa ajo kosovare tenton që marrëveshje të tilla t’i lidhë edhe me shtetet tjera, raporton Ekonomia Online.

Nënshkrimi u bë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.  

Ministrja Haxhiu tha se me këtë marrëveshje synohet bashkëpunimi në fushën e çështjeve penale.

Ajo tha se marrëveshja është hartuar në rregullat dhe parimet nga konventat e Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne synojmë thellimin mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e çështjeve penale në mes dy vendeve. Kjo marrëveshje parasheh marrjen e dëshmive, komunikimin e drejtpërdrejtë mes organeve tona gjyqësore, themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore. Marrëveshja është hartuar në rregullat dhe parimet nga konventat e Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut si dhe duke reflektuar praktikat më të mira evropiane”, tha Haxhiu.

Haxhiu tregoi se edhe me cilat shtete synojnë të lidhin një marrëveshje të tillë.

“Ne kemi marrëveshje me disa vende megjithatë ne kemi planifikuar që të shohim se cilat janë disa prej vendeve me të cilat ende nuk kemi marrëveshje në mënyrë që të nisim diskutimet në raport me lidhjen e marrëveshjeve. Tani jemi në proces me Francën dhe janë duke vazhduar negociatat me këtë shtet dhe po ashtu kemi shprehur gatishmërinë që të lidhim marrëveshje edhe me Kroacinë dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre”, tha tutje ajo.

Të ngjashme