Kosova me dy anëtarë të rinj në Komisionin e Venedikut

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 10:06 | Nga

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve te Jashtme, Behgjet Pacolli, ka njoftuar për emërimin e dy anëtarëve përfaqësues të Republikës së Kosovës në Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venedikut), i cili është mekanizëm në kuadër të Këshillit të Evropës.

Dy anëtaret e rinj të emëruar janë profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe Visar Morina.

Pacolli thotë se u ka kërkuar atyre angazhim maksimal dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Komisionin e Venedikut, kurse Qerimi dhe Morina, u zotuan për një punë dhe përfaqësim profesional të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm, me synimin e përmirësimit të rendit juridik, nivelit të demokracisë dhe forcimit të pozicionit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Biografi e Visar Morinës:

Dr. Visar Morina ka mbaruar studimet themelore në drejtësi kurse ato të magjistraturës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 2002. Studimet e doktoratës i ka mbaruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Johannes Kepler” në Linz, Austri më 2007. Ka një përvojë 15 vjeçare si ligjërues i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Z. Morina ka kryer disa hulumtime dhe studime shkencore sikurse në Universitetin e Grazit (Austri), Universitetin e Trentos (Itali) dhe Universitetin e Oksfordit. Aktualisht është shef i Departamentit për Çështje Kushtetuese dhe Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ka publikuar një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore të publikuara në revista vendore dhe ndërkombëtare dhe është autor i librit universitar “Gjyqësia Kushtetuese”. Është redaktor korrespondentë i revistës së Vjenës për të drejtën kushtetuese ndërkombëtare (The Vienna Journal on International Constitutional Law). Z. Morina ka qenë pjesë aktive e procesit të reformave juridike dhe gjyqësore në Republikën e Kosovës përmes programeve dhe misioneve të akredituara në Kosovë sikurse USAID, UNDP, GIZ etj. Z. Morina ka marr pjesë në cilësinë e ekspertit të jashtëm në hartimin e Kushtetutës së Kosovës (2008) dhe në hartimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Interesimi i tij shkencor përqendrohet në fushën e së drejtës kushtetuese, qeverisjes lokale dhe të mbrojtjes kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore.

Biografi e Qerim Qerimit:

Qerim Qerimi ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. I specializuar dhe me interesime që shtrihen në rrafshin e studimeve ligjore ndërkombëtare, Qerimi është i zgjedhur për mbajtjen e ligjëratave në lëndët “E Drejta Ndërkombëtare Publike,” “E Drejta Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut” dhe “Organizatat Ndërkombëtare.” Si shtesë e këtyre, në të kaluarën, ai ka qenë i angazhuar edhe për lëndët “E Drejta e Mjedisit,” “E Drejta Ndërkombëtare e Mjedisit”, si dhe “E Drejta Diplomatike dhe Konsullore.” Duke filluar nga vera e vitit 2007, gjithashtu, është bashkëprofesor në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Nga ajo kohë, në sesione të ndryshme, ai ka bashkëligjëruar lëndët “E Drejta Ndërkombëtare Publike,” “Diplomacia dhe Komunikimi,” dhe “E Drejta e Krahasuar.”

Aktualisht, gjatë vitit akademik 2017/2018, është profesor vizitor dhe hulumtues pasdoktoral pranë Grupit Kërkimor për të Drejtën dhe Zhvillimin të Fakultetit Juridik të Universitetit të Antwerpenit në Belgjikë.

Për një vit akademik (2011/2012), ka qëndruar për studime dhe kërkime pas-doktorale në Universitetin e Harvardit. Përfitues i bursës J. William Fulbright të Qeverisë Amerikane, ai ka qenë i vendosur në Fakultetin Juridik të këtij universiteti.

Në Universitetin e Prishtinës, ai ka shërbyer si u.d. i Prorektorit për Çështje Mësimore dhe Studentë (2014). Funksioni i menjëhershëm paraprak ka qenë ai i Prodekanit për çështje akademike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2012-2014). Nga viti 2010, ka ushtruar funksionin e kryeredaktorit të revistës “E Drejta” të Fakultetit Juridik.

Më parë, në periudhën ndërmjet viteve 2008 dhe 2010, ka shërbyer si Këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe ka qenë anëtar i ekipit ligjor përfaqësues të Republikës së Kosovës në procesin këshillëdhënës përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Vendimi i Gjykatës është shpallur më 22 korrik 2010. Më vonë (2016-2018), ka shërbyer si ekspert i Kosovës në rastin e arbitrazhit ACP Axos Capital GmbH kundër Republikës së Kosovës përpara tribunalit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID) të Bankës Botërore. Vendimi i arbitrazhit është shpallur më 3 maj 2018.

Në të kaluarën, gjithashtu, ka qenë ekspert i lartë në një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, që ka pasur për qëllim ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të hartuar legjislacion të vetëqëndrueshëm, në kuptim të qeverisjes së mirë dhe në pajtueshmëri të arsyeshme me Acquis Communautaire. Përvoja e tij e mëhershme përfshinë punën me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), si këshilltar ligjor, dhe angazhime të tjera me një sërë projektesh të udhëhequra apo mbështetura nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore, Këshilli i Evropës (ku shërben edhe si trajner për të drejtat e njeriut), dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Nga viti 2005 deri më 2006, ka qenë hulumtues në Institutin Max Planck për të Drejtën e Krahasuar Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg të Gjermanisë. Në verën e vitit 2006, ai ka ndjekur Akademinë e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare në Pallatin e Paqes, selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Qerimi është autor i librit “Development in International Law: A Policy-Oriented Inquiry” (BRILL – Martinus Nijhoff Publishers: Leiden dhe Boston), fitues i çmimit Harold D. Lasswell për librin më të mirë në fushën e shkencave të politikave për vitin 2012, dhënë nga Shoqata e Shkencëtarëve të Politikave, e themeluar në Universitetin e Yale-it në Shtetet e Bashkuara. Ai është autor edhe i një numri të librave, kapitujve të librave dhe artikujve të botuar në revista akademike që lidhen me fushat e tij të ekspertizës, kërkimit dhe interesit. Përveç librit “Zhvillimi në të Drejtën Ndërkombëtare,” ai është bashkautor i librave E Drejta Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (bashkë me G Zyberi, 2015), Politika dhe Ekonomia e Evropës Juglindore, botuar nga Continuum International Publishing Group (tash Bloomsbury) në Nju Jork (bashkë me B.S. Sergi), si dhe autor i librit “Mbrojtja Ligjore e Mjedisit: Aspekti i Brendshëm dhe Ndërkombëtar” (2013).

Ai ka publikuar në revista të cituara ndërkombëtare si Global Jurist, Law and Development Review, Journal of Human Rights Practice, Georgetown Journal of International Affairs, Croatian International Relations Review, Thomas Jefferson Law Review, International Review of Law, Journal of International Studies, Chicago-Kent Journal of International and Comparative Law, German Law Journal, Vienna Journal on International Constitutional Law, Problems of Economic Transition, International Journal of Social Ecology and Sustainable Development, International Journal of Business Governance and Ethics, Asia Pacific Law Review, Utrecht Journal of International Law, South-East Europe Review for Labour and Social Affairs, Southeastern European Politics, Politikon (The IAPSS Journal of Political Science), Transition Studies Review, Journal of East-West Business; World Review of Entrepreneurship, Management and Sustainable Development, Newsletter of the School of Human Rights Research, e të tjera, ndërsa në gjuhën shqipe, ka publikuar në revistën “E DREJTA” të Fakultetit Juridik dhe në Revistën e të Drejtave të Njeriut dhe Politikave të Universitetit të Prishtinës.

Disa nga prezantimet e fundit dhe përfaqësuese akademike, përveç drejtimit dhe pjesëmarrjes në panele të ndryshme, përfshijnë: “Konceptimi i Kushtetutbërjes Kozmopolitane Bashkëkohore: Imanuel Kanti në Shekullin Njëzetenjë,” organizuar nga Cambridge University Press, PluriCourts (Universiteti i Oslo-s) dhe Qendra për Konstitucionalizmin Global (WZB), Berlin, Gjermani (korrik 2018); “Kosova, Pastrimi Etnik dhe Përgjegjësia për të Mbrojtur: Rruga Shkëmbore për të Parandaluar Krimin Masiv,” Universiteti Paris Nanterre, Paris, Francë (qershor 2018); Konferenca e Taipeit 2017 për të Drejtën e Krahasuar dhe Ndërkombëtare, Fakulteti Juridik i Universitetit Soochow, Taipei, Taiwan (nëntor 2017); “Ngritja dhe Rënia e Referendumeve në Evropë (dhe përtej): E Drejta dhe Politika e Shkëputjes dhe Vetëvendosjes,” Universiteti i Antwerpenit, Antwerpen, Belgjikë (nëntor 2017); “Çfarë nënkupton Mendimi Këshillëdhënës për Kosovën për pjesën tjetër të botës” (Takimi i 105-të Vjetor i Shoqërisë Amerikane për të Drejtën Ndërkombëtare, Washington, D.C., Mars 2011); “Instrumentet Alternative të Politikave pas Ndërhyrjeve Ushtarake: Rasti i Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë” (Instituti Vjetor i Shkencave të Politikave, Shkolla e Drejtësisë e Yale-it, 2005).

Fushat aktuale të hulumtimit të tij përfshijnë ndërveprimin ndërmjet të drejtës dhe politikave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe drejtësinë globale kushtetuese.

Aktualisht shërben si Raportues për Oxford International Organizations (OXIO), një publikim i Universitetit të Oxford-it, që përfshinë analiza të dokumentave që lidhen me të drejtën e organizatave ndërkombëtare, si dhe është anëtar i Nismës Akademike Kundër Korrupsionit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC).

Të ngjashme