Kosova e Shqipëria me marrëveshje për bashkëpunimin diplomatik të të dyja vendeve

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje në Tiranë, të cilën kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, e ka quajtur historike.

Ajo ka të bëjë me bashkëpunimin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë, përmes së cilës synohet zhvillimi i një politike të bashkërenduar në fushat strategjike të rëndësisë kombëtare në politikën e jashtme.

Pacolli tha se Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare.

“Ky është një hap i madh përpara për të ardhur së bashku në skenën botërore dhe për të vepruar si një komb”, deklaroi Pacolli.

Ai tha se i është mirënjohës Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj “që së bashku kemi marrë këtë hap të madh”.“Shqipëria si gjithmonë do të mbrojë interesat e Kosovës, dhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë. Si dy vende, një komb, ne do të përfaqësohemi në të gjithë botën me një zë të unifikuar”, përfundoi Pacolli.

Të ngjashme