Kosova ende pa kryeprokuror të ri, nga Presidenca tregojnë pse Osmani nuk e ka dekretuar ende Blerim Isufaj

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i zgjedhur nga Këshilli Prokuroria i Kosovës, Blerim Isufaj ende nuk e ka marrë zyrtarisht këtë pozitë. Ai nuk është dekretuar ende nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë çështje nga Zyra e Presidentes të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Insajderi kanë bërë të ditur se njëri nga kandidatët për kryeprokuror të shtetit ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi.

I njëjti sipas presidencës, njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit, në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e tij sipas Presidencës është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese, prandaj edhe ZPRK-ja e vlerëson se një vendim potencial i presidentes Vjosa Osmani në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për kryeprokuror të shtetit, do të ishte i parakohshëm.

“Prandaj, ZPRK konsideron se është e nevojshme që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë kërkesë, në mes tjerash edhe për të evituar çfarëdo ndikimi në procesin e vlerësimit kushtetues të kërkesës në fjalë”.

“Meqë funksioni i kryeprokurorit të shtetit tashmë është duke u ushtruar nga ushtruesi i detyrës dhe nuk mbetet vakant, ZPRK-ja vlerëson se vendimi për të pritur vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese është i arsyeshëm dhe njëkohësisht nuk është i lidhur me afate specifike kohore”.

“Andaj, në këto rrethana, Zyra e Presidentes do ti përcjellë me shumë vëmendje zhvillimet lidhur me këtë proces dhe më pas do ti ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas kompetencave kushtetuese të Presidentes, duke u bazuar në përfundimet e nxjerra nga analiza e gjithë procesit”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për Gazetën Insajderi.

Tutje, është deklaruar se më 8 prill, Zyra e Presidentes së Kosovës ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të kryeprokurorit të Kosovës.

“Lidhur me këtë, Zyra e Presidentes menjëherë pas pranimit të propozimit, ka filluar konsultimet me vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, për t’u njoftuar më tej për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të propozuar. Përveç analizimit të dokumentacionit fillestar të dërguar nga KPK-ja, më 20 prill Zyra e Presidentes gjithashtu ka kërkuar informata shtesë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me procesin dhe procedurat e zhvilluara”.

“Përgjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës, dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit, janë ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat mund të kenë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit si dhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca ka kërkuar sqarime. Disa nga këto dokumente janë dërguar kurse disa të tjera do të dërgohen ndërkohë nga institucionet relevante. Pasi të kompletohet i gjithë dokumentacioni, ZPRK-ja do të vijojë me analizimin e mëtejmë të tyre”, thuhet më tej në përgjigjen e Presidencës

Të ngjashme