Kosova ka detyrim ndërkombëtar ta mbajë Gjykatën Speciale edhe pas 5 gushtit

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdojë edhe pas 5 gushtit, kur përmbyllen 5 vjet prej kur Kosova ka bërë ndryshime kushtetuese, me të cilat ka themeluar këtë institucion që do të trajtojë krime specifike të luftës që pretendohet të jenë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo, pavarësisht se, tek janë thirrur në këto ndryshime në Kushtetutë, eksponentë politikë dhe shoqatat e dala nga lufta disa herë e kanë përsëritur se mandati i Gjykatës është vetëm pesëvjeçar.

Mbështetur në amendamentin 24 të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – emërtim ky zyrtar për Gjykatën Speciale – do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit bëhet më herët. Në të njëjtin amendament theksohet se në mungesë të një njoftimi të këtillë, mandati i Speciales do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë.

E, Ligji që i referohet amendamenti, ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së, mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, që për instrumente ka letërkëmbimin mes presidentit të Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Mes të tjerash, në këtë letërkëmbim, konfirmohet se puna e SIFT-it, pararendëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, “do të vazhdojë deri në kohën kur Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar, ose që procedimet që rrjedhin nga ato hetime kanë përfunduar”, raporton KOHA.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i ka thënë gazetës se, mbështetur në këto dispozita, mandati i Speciales duhet të vazhdojë edhe pas 5 gushtit.

“Mandati kohor i saj është i qartë. Për këtë është përdorur një normë rrëshqitëse, ku në fillim amendamenti përcakton se mandati është pesë vjet, gjithnjë duke e kushtëzuar vazhdimin e tij me një njoftim që duhet të vijë nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Ky njoftim është i nevojshëm me qëllim të përfundimit të mandatit të saj. Kjo dispozitë rrëshqitëse i referohet një ligji që ka fuqi më të lartë se çdo ligj tjetër në Kosovë, dhe që përbën një detyrim kushtetues të Kosovës që ka hyrë në fuqi ditën e miratimit të amendamentit nr. 24”, ka thënë Hasani. “Krahas këtij detyrimi kushtetues, ky është edhe një detyrim ndërkombëtar konform nenit 16.3 të Kushtetutës”.

Të ngjashme